Enea Koliqi: Kemi respekt për kundërshtarin sepse janë ekip e fortë, por respektojmë vetën më shumë
Portieri i Ballkanit, Enea Koliqi, ishte prezent në konferencë për shtyp së bashku me trajnerin Ilir Daja, ku u përgjigj në disa pyetje, për ndeshjen që i pret ata nesër në Ligë të Konferencës ndaj Astanës.
Për Koliqin e rëndësishme është se në fushë hyjnë me synimin për të fituar dhe është i vetëdijshëm që kanë qenë në formë të mirë, në të gjitha paraqitjet në Prishtinë.
“Në Prishtinë kemi treguar formë të lartë. Kemi pranuar një gol në tërësi dhe është e rëndësishme të mos pësojmë nesër. Jemi ekip i fortë dhe gjithmonë futemi në fushë për të fituar.”
Tutje portieri shqiptar foli për kundërshtarin, të cilët i konsideroi jo të dobët, ndonëse nuk kanë fituar ende në grupin ku gjenden ata të Ligës së Konferencës.
“Astana nuk është ekip i dobët, edhe pse nuk kanë fituar akoma ndonjë ndeshje në grupe. Kemi respekt për kundërshtarin, por respektojmë vetën më shumë.”
Ndeshja Ballkani – Astana, zhvillohet nesër (e enjte) në Fadil Vokrri, me fillim nga ora 18:45.
