Ilir Daja: Do të japim gjithë energjinë tonë, për të përfaqësuar sa më mirë Ballkanin dhe kampionatin e Kosovës
Kampioni i Kosovës Ballkani, nesër do të zhvillojë ndeshjen e ardhshme në Ligën e Konferencës, ku do ta presë në Fadil Vokrri, Astanën. Trajneri Ilir Daja në konferencën e sotme ka deklaruar se do të japin gjithçka nga vetja e tyre për ta përfaqësuar denjësisht skuadrën dhe kampionatin e Kosovës.
Fillimisht strategu shqiptar tregoi për gjendjen në kampin e tij, duke thënë se dy lojtarë kanë bërë stërvitje të diferencuara, ndërsa pjesa tjetër e grupit janë të gatshëm.
“90 për qind e lojtarëve janë të gatshëm. Me stërvitje të diferencuar kemi Hamitin, të cilin do e kemi në bankinë nesër. Nuk do të luajë si titullar. Kemi edhe Ismajlgecin, i cili ka bërë stërvitje të diferencuar. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion”.
Në vazhdim Daja foli për kundërshtarët, ku tha se janë mjaft me përvojë në këto gara dhe se skuadra e tij duhet të jetë me këmbë në tokë.
"Duhet të jemi me këmbë në tokë. Astana ka zhvilluar mbi 90 takime në garat evropiane. Ka marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Pas një fitoreje historike ndaj Dinamos së Zagrebit, nuk është e mundur të ndryshojmë objektivat. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi. Do të fokusohemi tek Astana. Një ndeshje shumë e vështirë, por nuk do të ndryshojmë asgjë nga ato që kemi bërë deri sot”.

Trajneri Ilir Daja i vetëdijshëm që po kalojnë periudhë të mirë si skuadër, nesër thotë se do ta japin tërë energjinë për të përfaqësuar futbollin kosovar në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Do të japim gjithë energjinë tonë, për të përfaqësuar sa më mirë Ballkanin dhe kampionatin e Kosovës. Po kalojmë një periudhë goxha të mirë, në kampionat dhe Evropë. Besoj që është një përjetim i madh në karrierën time si trajner. Ka një gjë të mirë ky përjetim, sepse ndodh javë për javë. Jemi prezantuar mirë në të dyja anët. Entuziazmi është në nivele optimale. Ta mbajmë sa më gjatë të jetë e mundur, duke pasur edhe fatin me vete”.
Për fund ai diskutoi edhe për ofertat personale dhe qëndrimin e tij te Ballkani, ku u shpreh optimist se qëndrimi i tij do të zgjatet.
“Pavarësisht se kontrata me Ballkanin përfundon në fund të këtij edicioni, besoj se do të zgjatet. Unë jam nën kontratë me Ballkanin dhe nëse dikush është i interesuar për mua, duhet të kontaktojë me klubin. Deri tani nuk kam pasur asnjë ofertë dhe nëse vjen, sigurisht që duhet të shkojë edhe te klubi i Ballkanit, me të cilin kam kontratë dhe besoj se do të vijoj gjatë”.
Ndeshja Ballkani – Astana zhvillohet nesër (e enjte) në Fadil Vokrri me fillim nga 18:45.