Emir Sahiti: Vendosa për Kosovën sepse e dua më shumë se Shqipërinë - NACIONALE

Emir Sahiti: Vendosa për Kosovën sepse e dua më shumë se Shqipërinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Emir Sahiti ndien keqardhje që nuk arriti të debutojë për Kosovën në ndeshjet e marsit, për shkak të një lëndimi. 23-vjeçari, i lindur në Prishtinë, thotë se vendosi ta lërë Shqipërinë për Kosovën për shkak se zemra i rrah për vendlindjen.

Sulmuesi i Hajduk Splitit u thirr në Kombëtaren e Kosovës për herë të parë këtë muaj, për ndeshjet miqësore kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës, pasi në të kaluarën e kishte përfaqësuar Shqipërinë U19 dhe U21.

Megjithatë, ai nuk ia doli të debutojë për Kombëtaren seniore të Kosovës për shkak të një lëndimi.

Më vjen shumë keq. [Kosova] më thirri për herë të parë. Kisha dashur të luaja për vendin tim [në miqësoret e marsit]. Do ta kisha dhënë më të mirën në ato ndeshje”, tha Sahiri për mediat kroate.

Sahiti, i cili po kalon nëpër formë jetësore në ligën elitare kroate 1.HNL, tha se vendosi ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare për shkak se zemra i rrah të luajë për dardanët.

Megjithatë, paraqitja e tij e fundit për Shqipërinë U21 ishte në vitin 2017 dhe që prej asaj kohe, Sahiti nuk kishte luajtur për asnjë ekip kombëtar.

“Unë kam luajtur për ekipin kombëtar U21 të Shqipërisë dhe kur luaja për U19 ekipi kombëtar i Kosovës nuk ekzistonte, prandaj ishte normale të luaja për Shqipërinë. Por unë e doja Kosovën më shumë. Jam rritur atje, Prishtina është qyteti im”, nënvizoi ai.

“Zemra më rrah të luaj për Kosovën, por në nuk bëjmë dallime, jemi vëllezër. [Ardian] Ismajli, për shembull, është i lindur në Kosovë por luan për Shqipërinë. Me të dëgjohem shpesh.”

Ai e nisi karrierën pikërisht në Prishtinë para se t’i bashkohet Rabotnickit në Maqedoninë e Veriut në moshën 16-vjeçare dhe në fund klubit kroat Hajduk në vitin 2018.

“Karrierën e nisa në Prishtinë në moshën 5-vjeçare në klubin e Ramiz Sadikut, aty ushtrova shtatë apo tetë vjet, pastaj shkova te Prishtina. Në Prishtinë luajta për kategoritë e reja dhe në moshën 16-vjeçare shkova në Rabotnicki, në Shkup. Më 2018 erdha në Hajduk në huazim gjashtëmujor, ku e dëshmova veten dhe klubi më bleu.”

23-vjeçari, i cili i ka shënuar pesë gola dhe tri asiste në 25 paraqitje në ligën kroate këtë sezon, ka kontratë me Hajkudun deri në verën e vitit 2025.

Ai duhet të presë deri në qershor për të debutuar për Kosovën dhe do ta ketë mundësinë ta bëjë këtë në një ndeshje zyrtare në Ligën e Kombeve.

Kosova është pjesë e Ligës C, në Grupin 2 bashkë me Irlandën Veriore, Greqinë dhe Qipron.

Në një hapësire prej vetëm 10 ditëve, Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje, duke e nisur me Qipron në udhëtim më 2 qershor dhe duke e mbyllur me Greqinë po ashtu në udhëtim më 12 qershor.

Lajme të ngjashme