Elliott rinovon kontratën për pesë vjet me Liverpoolin - NACIONALE

Elliott rinovon kontratën për pesë vjet me Liverpoolin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ajo çfarë ka dëshmuar Harvey Elliott me Liverpoolin, ndonëse në moshë të re, është domethënëse. Kësisoj, mesfushorit sulmues klubi ka vendosur t'ia rinovojë kontratën për kohë afatgjate, për pesë vjet konkretisht.

Elliott sezonin e kaluar e nisi titullar. Për dikë ishte e befasishme, por jo edhe për trajnerin Jurgen Klopp, i cili menjëherë besoi te cilësitë e tij.

Kështu, pas një periudhe të mirë që demonstroi me skuadrën seniore, ai mori vëmendje më të madhe nga të gjithë, e bashkë me të edhe minutazh më të mirë.

Drejtuesit e klubit anglez e shohin në qendër të projektit 19-vjeçarin. Mbi këtë parim edhe iu është rinovuar kontrata.

Deklarimi i Elliott pas nënshkrimit

Pasi nënshkroi kontratën e re me Liverpoolin, e cila do ta lidhë Elliottin me klubin anglez deri në vitin 2027, ai dha edhe prononcimin e tij të parë.

"Nuk ka ndonjë vend më të mirë që mund të jesh sesa Liverpool, për ta veshur fanellën dhe për të luajtur për ekipin, si dhe vetë tifozët. Besoj që shumë kujtime tjera kanë për të ardhur, por unë që tani jam i ngazëllyer ta vendosi nënshkrimin mbi kontratë dhe të qëndroj këtu sa më gjatë"
, deklaroi Elliott.

Këto deklarata futbollisti anglez i dha për faqen zyrtare të klubit. Ndër të tjera, ai shprehet besimplotë që titujt nuk do të mungojnë edhe në sezonet e ardhshme.

Statistikat e Elliott te Liverpool

Për shkak të lëndimit të rëndë që Elliott pati në fillim të sezonit të kaluar, iu ndërpre një rrugëtim shumë i mirë, duke e lënë në infermeri për një kohë të gjatë.

Deri më tani ai me Liverpoolin, në Premierligë, ka regjistruar 11 paraqitje, ku në shumicën e rasteve është vlerësuar pozitivisht për atë çfarë ka treguar në shumë.

Sigurisht, numri i paraqitjeve do të ishte shumë më i madh nëse nuk do të ndodhte lëndimi i rëndë kundër Leeds, në fitoren e Liverpoolit me rezultat 0:3 që e pati shënuar në "Elland Road".

Mirëpo, me rinovimin e kontratës së re, është një indikator i radhës i cili transmeton më së miri qëllimet dhe planet e klubit që janë për të, duke u vlerësuar si një aset i çmuar për stafin teknik të udhëhequr nga Jurgen Klopp.

Tani atij do t'i mbetet që ta dëshmojë se është në nivelin e detyrës për ta arsyetuar besimin që i është dhënë nga të gjithë. Minutazhi për të projektohet se do të rritet gjatë javëve në vazhdim, marrë parasysh edhe faktin që Liverpool po përballet me disa probleme me lëndime në repartin e mesfushës, nga Alcantara, deri te Chamberlain.

Lajme të ngjashme