Elbasan Rashani komenton sezonin ‘më të mirë në karrierë’ te Clermont - NACIONALE

Elbasan Rashani komenton sezonin ‘më të mirë në karrierë’ te Clermont

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ylli kosovar, Elbasan Rashani padyshim ka kaluar sezonin më të mirë në karrierë sa i përket aspektit personal.

Rashani kaloi te Clermont para se të nis sezoni 2021/22, pasi që nuk kishte gjetur atë kohë marrëveshje me klubin turk, BB Erzumspor, prandaj u largua si agjent i lirë.

Me kalimin në Ligue 1, Rashani ka arritur të rigjejë formën duke pasur statistika të hatashme, e një që vlen të ceket se këtë edicion ka shënuar gola edhe më shumë se shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Lionel Messi.

Në një intervistë për “La Montagne”, Rashani ka treguar që asnjëherë nuk është fokusuar në statistika, pasi që gjithmonë prioriteti është vetëm fitorja.

"Unë kam qenë gjithmonë një lojtar që së pari dëshiron që ekipi të luajë mirë dhe të fitojë, kështu që kurrë nuk jam fokusuar shumë në statistikat e mia personale. Por sigurisht, jam i kënaqur me të, veçanërisht pasi shumë nga golat e mi ishin e rëndësishme dhe jam krenar për këtë”.

Përpos statistikave, Rashani gjithmonë ka treguar edhe elegancë dhe klasë natyral, si dhe shpirtin konkurrues në shumë takime, gjë që ka bërë të ketë përshtypje të favorshme edhe në tribunat e pushtuara.

Vetë trajneri i tij Pascal Gastien vlerësonte rregullisht inteligjencën dhe aftësinë e kosovarit për të kuptuar lojën, edhe pse ishte i ri për të, të krahut të tij të majtë.

Rashani gjithashtu ka folur edhe për jetën në Francë, ku ka mbetur i befasuar, por ndihet shumë i lumtur, duke deklaruar se ndjehet si në shtëpi dhe kjo është thelbësore për të.

“Një përshtypje e çuditshme për mua edhe sot, një vend me një kulturë pak më ndryshe, i vetmi lojtar në klub që ende nuk flas frëngjisht ( buzëqeshje) por ndihem si në shtëpinë time. Kam një grua të bukur dhe një djalë të vogël të bukur që janë përshtatur lehtë dhe kjo është thelbësore. Kur një lojtar ndihet mirë në shtëpi, ai ndihet mirë edhe në fushë”, vazhdoi Rashani.

Në fund, Rashani dha lëvdata edhe për bashkëlojtarin Mohamed Bayo, për të cilin u shpreh se janë shumë të lidhur dhe kuptohen mirë në fushë.

“Jam me fat që kam luajtur me 'Momo', ai është një lojtar i madh dhe një person i madh. Jam i lumtur që arritëm një marrëveshje shumë shpejt. Ishte e rëndësishme për ne dhe po aq për ekipin”.

“Në lojë, me Momo (Bayo), ne jemi shumë të lidhur dhe është krejtësisht e çuditshme, sepse ai dhe unë jemi ndoshta njerëzit e fundit që mund të kuptojmë njëri-tjetrin: unë nuk flas frëngjisht dhe ai nuk flet anglisht! (qesh) Por futbolli ka gjuhën e vet”, shtoi ai.

Në fund, Rashani nënvizoi se këtë edicion kanë pasur sukses shkaku që ishin gjithmonë seriozë, kishin ambicie dhe asnjëherë nuk ndryshuan në këtë aspekt.

"Unë e kuptoj plotësisht se mund të duket e çuditshme nga jashtë, por padyshim ishte mënyra jonë e evakuimit. Por, ne kemi qëndruar gjithmonë seriozë, kemi mbajtur gjithmonë një qëndrim profesional dhe ambicie. Por në pozitivitet. Për mua, kjo shpjegon suksesin tonë: nuk kemi ndryshuar kurrë”, përfundoi Rashani.

Në përgjithësi, Rashani ka zhvilluar 29 ndeshje në Ligue 1, duke shënuar tetë gola dhe dhuruar tre asistime të tjera.

Kujtojmë, se Rashani është mungesa e madhe në listën e Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e qershorit.

Tashmë veçse është konfirmuar që arsyeja e mungesës së lojtarit është personale dhe që këtë e ka diskutuar me përzgjedhësin Alain Giresse.

Ndërkohë, Kombëtarja e Kosovës pas shtatë ditëve, më saktësisht me 2 qershor do ketë përballjen e parë ndaj Qipros, ndërsa tre ditë më vonë e pret Greqinë në "Fadil Vokrri".

Këto sfida pastaj vazhdohen me Irlandën Veriore më 9 qershor, sërish në shtëpi dhe në fund do jetë mysafir i Greqisë më 12 qershor.

Lajme të ngjashme