Edon Zhegrova: Jam i gatshëm të marrë barrën kryesore të Kombëtares
Kombëtarja e Kosovës e zhvillon ndeshjen e radhës ndaj Qipros në Ligën e Kombeve, dhe ylli kryesor i skuadrës Edon Zhegrova thotë se do të japin maksimumin për ta fituar ndeshjen.
Zhegrova që shënoi golin e parë ndaj Lituanisë tha se çdo herë ka dhënë maksimumin te kombëtarja dhe do ta vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë.
"Presion nuk kam. Normalisht sa herë të vijë për Kombëtaren, jam këtu me kënaqësinë më të madhe, e jap maksimumin në çdo ndeshje. Ndeshja e kaluar ka qenë e mirë, por kemi mundur më mirë. Kemi mësuar nga gabimet, kemi analizuar dhe besoj se ndeshja e radhës do të jetë më e mirë."
Në përballjen ndaj Qipros, Kosova synon të shënojë shumë gola, pasi këtë nuk e arritën ndaj Lituanisë.
"Ndaj Lituanisë kemi bërë lojë të mirë, por edhe në Prishtinë do të japim maksimumin dhe të hyjmë për fitore duke shënuar sa më shumë gola në këtë ndeshje."
I pyetur se a është i gatshëm ta marrë barrën kryesore të Kombëtares, Edon Zhegrova tha se është 100% i gatshëm për ta bërë një gjë të tillë, me ndihmën e bashkëlojtarëve.
"Jam i gatshëm me të gjithë bashkëlojtarët, por normalisht që jam i gatshëm."