Edon Zhegrova e qet në rrenë Agim Ademin: Federata e mori vendimin për përjashtim, jo trajneri - NACIONALE

Edon Zhegrova e qet në rrenë Agim Ademin: Federata e mori vendimin për përjashtim, jo trajneri

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka përgënjeshtruar të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, me një pronocim për mediat franceze.

Zhegrova gjatë një konference për media tregoi se vendimin për përjashtimin e tij nga grumbullimi me Dardanët e mori Federata dhe jo siç kishte thënë i pari i Federatës se trajneri Franco Foda i kishte përjashtuar.

“Asgjë e madhe. Isha vonë në një takim grumbullues. Mendoj se nuk ishte trajneri ai që mori vendimin, por Federata dhe kjo ishte arsyeja pse ishte pak nervoz. Pastaj janë disa njerëz që nuk ju pëlqejnë dhe përpiqen të thonë gjëra jo të vërteta për ty, apo gjëra të këqija. Unë e njoh veten time, sesa profesional jam dhe pasi i shikova disa lajme se isha jashtë në klube nate apo gjëra si këto, por unë nuk jam kështu, sepse nëse dua të shkoj të gjithë do ta dinë, por nuk kishte foto apo diçka e tillë për mua. Pra janë të gjitha lajme të rreme, por gjëja më e keqe është që trajneri nuk mori vendim, por Federata. Kur je vonë në një takim, trajneri duhet të vendosë dhe jo Federata, por tani është në rregull, diçka që ka ndodhur dhe nuk ka rëndësi për mua."

Kujtojmë që Edon Zhegrova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija ishin përjashtuar nga grumbullimi i fundit i Kombëtares së Kosovës, pasi raportohej se këta të tre kishin thyer rregulloret e vendosura nga trajneri Foda.

Por, siç u tha më vonë, ky vendim erdhi nga Agim Ademi dhe jo nga trajneri, madje Foda pas ndeshjes ndaj Qipros kishte thënë që këto janë punë të Federatës dhe se ai merret vetëm me ndeshje futbolli.

“Përjashtimi i tre yjeve? Federata e ka dhënë një komunikatë, unë dhe ekipi ishim fokusuar vetëm te ndeshja me Qipron”.

Gazetari Arlind Sadiku disa ditë më parë kishte raportuar madje për një kërcënim të Agim Ademit ndaj futbollistëve në fjalë.

“Skandaloze Njëri nga futbollistët e përjashtuar, në kushte anonimiteti, pranoi se Agim Ademi i ka kërcënuar duke iu thënë “jau thej komtë, jau prishi karrierën”!” – ka shkruar Sadiku në profilin e tij në Facebook.

Të njëjtat fjalë i kishte konfirmuar analisti Ramiz Shala në Duelin Sportiv, ku kishte thënë: "Para vendimit, Agimi i ka thirr të tre djemtë dhe po citoj me fjalë “Kam me iu shkatërru karrierën, ja u prishi fytyrën, këmbët bre ja u thej…Nuk ka marrë vendim Foda, përveç Agim Ademit. Nuk duhet ta mashtrojmë opinionin, sepse ata djem janë lojtarë të Kosovës. Na i njohim, edhe nëse kanë gabuar që nuk e besoj, edhe nëse dalin prej Agim Ademit e teposhtë edhe në kanagjegje janë shku".

Lajme të ngjashme