“Edhe mund të shkojë”, Duka komenton të ardhmen e Sylvinhos
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka ka lënë të hapur mundësinë që përzgjedhësi Sylvinho të largohet, mirëpo deklaroi se gjasat janë të mëdha që ta rinovojë.
FSHF-ja në janar i ka dërguar ofertën zyrtare teknikut brazilian për të rinovuar kontratën, por që Sylvinho preferoi të fokusohej te “Euro 2024” duke shtyrë negociatat.
Tani që kontrata i ka mbaruar, mediat spanjolle raportojnë se top klubet evropiane janë të interesuara dhe ekziston mundësia që ky i fundit të largohet nga Shqipëria.
Duka në një intervistë te “Kampionët” në “TV Klan” ka lënë të hapur mundësinë që Sylvinho të përshëndetet me Shqipërinë, megjithatë nënvizoi se gjasat janë më të mëdha që të qëndrojë.
“Kontrata me trajnerin ka mbaruar pas Evropianit. Ne i kemi propozuar rinovimin që në janar. Besoj se tani së shpejti do e finalizojmë”.
“Ne kemi pasur biseda. Secili njeri mendon për veten e tij. Nëse i vjen një shifër marramendëse, edhe mund të shkojë. Kontrata është e përfunduar kur e firmos në letër. Gjasat që të rinovojë, sigurisht që është mbi 50 për qind. Ne bëjmë aq sa mundemi për ta mbajtur, nuk mund të bëjmë më shumë se kaq”.
“Në karrigen time, duhet të mendosh të gjitha gjërat. Dëshira për ta pasur është aq e madhe, sa ia kemi bërë që në janar ofertën për rinovim. Mbrëmë bëmë një festë të vogël me stafin. Sot Sylvinho iku të pushojë dhe do të rikthehet për të vendosur për të ardhmen. Do vendosim para se të përfundojë Evropiani. Do shkojmë ta shikojmë finalen bashkë. Nëse del një klub i La Ligas dhe i jep 5 milionë euro, e ka hallall. Mancini la Italinë, për lekët…”, deklaroi Duka.