Edhe Brightoni ia tregon 'vendin' Liverpoolit, e mposht dhe e kalon në renditje - NACIONALE

Edhe Brightoni ia tregon 'vendin' Liverpoolit, e mposht dhe e kalon në renditje

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Liverpooli assesi të këndellet në këtë sezon të Premierligës. Kësaj radhe u mposhtën nga Brightoni me rezultat 3:0 dhe në vetëm 18 ndeshje të zhvilluara ata kanë pësuar plot gjashtë humbje, duke mbetur në pozitën e tetë në Premierligë.

Kjo është ndeshja e tretë radhazi pa fitore nga të drejtuarit e Jurgen Klopp, pas një humbje dy javë më parë ndaj Brentford në kampionatin anglez, dhe një barazimi në javën që lamë pas me Wolves në FA kupë.

Sa i përket ndeshjes, Liverpooli ishte e humbur në fushë, me Brightonin që e dominoi tërësisht takimit, si në posedim të topit ashtu edhe në krijimin e rasteve për të shënuar gol.

Image

Të tre golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë të lojës, por rastet e skuadrës vendase nuk munguan as gjatë pjesës së parë, ndërsa të kuqtë në 45 minutat e para nuk krijuan as edhe një rast të vetëm shënimi.

Serinë e golave e hapi Solly March vetëm dy minuta pasi filloi pjesa e dytë e lojës për të shënuar për 1:0.

Pas gjashtë minutave, saktësisht në minutën e 53-të, ishte sërish March ai që shënoi për dyfishimin e epërsisë, kësaj radhe i asistuar nga Evan Ferguson, për 2:0.

Për rezultatin përfundimtar u përkujdes Danny Welbeck, i cili shënoi për 3:0 në minutën e 81-të, e asistues ishte realizatori i dy golave të parë.

Krejt çfarë Liverpooli arriti të bënte në këtë ndeshje, ishte të dërgonte dy goditje të pafuqishme të dërguara në duart e portierit, Roberto Sanchez.

Liverpooli me këtë humbje zbret në vendin e tetë në tabelë me 28 pikë të grumbulluara pas 18 ndeshjeve dhe u kalua pikërisht nga Brightoni, e cila tani ka 30 pikë në po aq ndeshje.

Lajme të ngjashme