E udhëhequr nga Leo Messi i pandalshëm, Argjentina fiton Finalissiman kundër Italisë
Argjentina ka arritur të dalë triumfuese në Finalissima përballë Italisë në stadiumin "Wembley", duke fituar me rezultat të pastër 0:3. Leo Messi spikati me paraqitje mbresëlënëse, ku regjistroi dy asiste.
Pas 30 vitesh është rikthyer trofeu Finalissima, ku në stadiumin mitik anglez "Wembley" janë ndeshur Italia si fituese e Evropianit me Argjentinën si fituese e Kupës së Amerikës. Ky ishte edicioni i tretë i këtij trofeu.
Ndeshja nisi më mirë për Italinë, e cila qarkullonte më rrjedhshëm topin dhe kishte një iniciativë të lehtë në fushë, por pa krijuar raste të mira shënimi. Argjentina ishte më e rezervuar dhe e kujdesshme në aksionet e saj në minutat e para.
Ishte Leo Messi, shtatë herë fituesi i Topit të Artë, ai që u përkujdes në minutën e 28-të të bëjë një manovrim elastik, tejet të bukur me top, ku gjeti të lirë në zonë Lautaro Martinez, të cilit ia pasoi topin dhe ai nuk e shpërdori një rast të tillë, për ta çuar në epërsi Argjentinën me rezultat 0:1.
Nga ky moment loja mori një tjetër pasqyrë. Argjentina për asnjë moment nuk e vuri në mëdyshje fatin e ndeshjes, duke fituar vetëbesim dhe duke qenë gjithmonë më e rrezikshme në aksionet që i ndërtonte.
Kur Italia u mundua që të këndellej disi në lojë, u ndëshkua me golin e dytë nga Argjentina. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, një pasim i mirë i Lautaro Martinez për Di Maria, bëri që ky i fundit të shkonte i vetëm para portierit Donnarumma, duke e mposhtur me parabollë këtë të fundit, për ta shënuar kështu një gol të bukur, në stilin e tij tipik siç na ka mësuar ndër vite.
Me rezultatin 0:2 shkuan kombëtaret respektive në pushimin mes dy pjesëve.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lojës që ishte dukshëm më i ulët. Argjentina administroi lehtësisht epërsinë. Leo Messi në disa situata një kundër një ishte i pandalshëm me driblimet e tij klasike, ku i krijoi probleme të theksuara mbrojtjes italiane.
Argjentina kishte disa mundësi për ta thelluar akoma rezultatin, por Donnarumma u tregua në element të duhur, duke ua pamundësuar një gjë të tillë për minuta të tërë.
Mirëpo, fati dhe Donnarumma pafund nuk arriti ta shpëtojë Italinë, pasi Paulo Dybala pak sekonda para se të përfundonte ndeshja me të majtën e tij, pas afro dy vitesh, gjeti golin me Kombëtaren e Argjentinës, duke çuar në delir edhe më shumë tifozët argjentinas, me rezultatin që shkoi në shifrat e 0:3. Edhe një herë ishte Leo Messi ai që asistoi, për ta rrumbullaksuar një paraqitje të shkëlqyer.
Kështu edhe përfundoi kjo finale, ku trofeut në fund iu gëzuan me plot meritë argjentinasit. Ndërkaq, për Italinë nuk pati shenja të mira çfare shpresonte t'i shihte Mancini pas dështimit katastrofik që kombëtarja "axurre" pësoi në fushatën kualifikuese për Botëror, ku nuk arriti ta sigurojë një biletë për Katar 2022.
Leo Messi gjatë gjithë ndeshjes u shoqërua me ovacione dhe kore nga tifozët e shumtë argjentinas që ishin të pranishëm në shkallët e stadiumit në Londër. Në fund u shpall edhe lojtari më i mirë i kësaj finale.
Në anën tjetër, për Chiellinin kjo ishte paraqitja e fundit me fanellën e Italisë. Një ndeshje lamtumirëse e hidhur për një lojtar që Italisë i ka dhënë shumë, në veçanti në Europianin e fundit ku ishte njëri nga protagonistët kyç.
Në vazhdim ju lëmë me pamjet nga përmbledhja e finale së sontme!