“E thashë të vërtetën” – Mourinho thotë se ka informuar skuadrën e Romës për të ardhmen e tij
Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka thënë se nuk ka folur me asnjë skuadër, në vazhdën e spekulimeve se ai është i kërkuar nga Paris Saint-Germain.
Mourinho po përgatitet për finalen e Ligës së Evropës të së mërkurës, pasi udhëhoqi skuadrën e tij Romën drejt dy finaleve evropiane radhazi. Trajneri i Romës fitoi Ligën e Konferencës sezonin e kaluar dhe shpreson ta ndjekë atë sukses me një tjetër trofe këtë javë. Puna e Mourinhos te Roma, ka bërë që të kërkohet dhe të jetë i lidhur me një lëvizje te PSG-ja për të zëvendësuar Christophe Galtier, por 60-vjeçari këmbëngul se nuk ka folur me ndonjë klub tjetër.

"Unë nuk kam folur me asnjë klub tjetër, tani për tani siç janë gjërat. Nuk ka negociata," tha ai. "Unë e thashë të vërtetën [për të ardhmen] ekipit tim - por është diçka që qëndron mes meje dhe ekipit. Ata e dinë se çfarë do të bëj".

Kjo nuk është hera e parë që Mourinho i hedh poshtë thashethemet për të ardhmen e tij. Ish-trajneri i Chelseat ka sugjeruar më parë se ai do të përfundojë kontratën e tij me Romën, e cila ka ende një vit për të skaduar, ndërsa legjenda e klubit Francesco Totti ka pohuar se ai mund ta bindë Mourinhon të qëndrojë në kryeqytetin italian edhe nëse PSG do të vinte ta thërriste.
Roma do të përballet me Sevillan në finalen e Ligës së Evropës të mërkurën (nesër) në Puskas Arena të Budapestit me fillim nga ora 21:00.

