E pranon Aubameyang: Do të doja rikthimin te Barcelona - NACIONALE

E pranon Aubameyang: Do të doja rikthimin te Barcelona

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang ka pranuar haptas se dëshiron të rikthehet te Barcelona.

Verën e kaluar sulmuesi me prejardhje nga Gaboni vendosi t'i bashkohet Chelseas shkaku i trajnerit Thomas Tuchel, i cili u shkarkua një javë më vonë.

Sidoqoftë, Aubameyang nuk luajti thuajse fare nën urdhrat e Graham Potter, e është duke ëndërruar një rikthim te Barcelona, pavarësisht që do të jetë alternativë e Robert Lewandowskit.

"Do të doja rikthimin te Barcelona, por do të shohim", tha ai pasi u pyet nga një tifoz nëse ka gjasa për të luajtur sërish në fanellën katalunase.

Aubameyang nuk është duke pasur ndonjë rol të rëndësishëm as nën urdhrat e trajnerit Frank Lampard, ku as s'u ftua në ndeshjen e fundit ndaj Bournemouth prandaj largimi i tij pritet të ndodh.

Aubameyang ka edhe një vit në kontratë me Chelsean, por ka raportime se skuadra londineze është lodhur nga ai dhe mund ta lejojnë të largohet falas.

Në anën tjetër, Xavi gjithashtu do të ishte i hapur për rikthimin e Aubas por Barcelona një marrëveshje të tillë mund ta realizojë vetëm nëse futbollisti shkëput kontratën me "Blutë".

Sipas "Sport", Auba do ta pranonte edhe zbritjen e pagës që të luajë sërish në "Camp Nou", duke marrë parasysh gjendjen financiare të gjigantit blaugranas.

Prioriteti i Barcelonës vazhdon të jetë rikthimi i Leo Messit, por La Liga është duke ia vështirësuar punët pasi po kërkon që fillimisht të shesin disa lojtarë.

Lajme të ngjashme