E papritur, Man United dhe Barcelona në negociata për shkëmbimin e bujshëm
Manchester United është në bisedime me Barcelonën për një marrëveshje shkëmbimi që përfshin Aaron Wan-Bissaka dhe Sergino Dest.
Wan-Bissaka që iu bashkua "Djajve të Kuq" në një marrëveshje prej 45 milionë funtesh nga Crystal Palace në vitin 2019, ka bërë vetëm një paraqitje si inkuadrues në Premierligë këtë edicion, me trajnerin Erik ten Hag që e preferon Diogo Dalotin në atë pozitë.
Ndërsa, trajneri i Barcelonës, Xavi ka kërkuar nga katalunasit ta forcojnë pozitën e krahut të djathtë duke e bërë Cesar Azpilicueta prioritet, por ky i fundit në fund rinovoi me Chelsean.
Dest nga ana tjetër nuk është pjesë e planeve të Xavit dhe nuk ka zhvilluar asnjë minutë në tre ndeshjet e para në La Liga.
Sipas mediumit të njohur spanjoll, "Sport", Barcelona dhe Man Utd është ne negociata të avancuara për një marrëveshje direkte që përfshin Dest dhe Wan-Bissaka.
Raporti shton se Ten Hag është i hapur ta ketë amerikanin te United, pasi ka punuar me këtë të fundit te Ajax.
"Djajtë e Kuq" gjithashtu janë duke monitoruar situatën e Memphis Depay në javët e fundit dhe janë duke e konsideruar si opsion.
Barcelona është e hapur për shitjen e holandezit, që ishte pranë kalimit te Juventus, në mënyrë që të shpëtojnë nga pagat e tij.
Ndërsa, te United mund të ketë edhe largime tjera me Cristiano Ronaldon që mund t'i bashkohet Napolit nëse agjenti Jorge Mendes gjen "gjuhën e përbashkët" mes dy klubeve.
Sa i përket portugezit, ka pasur bisedime mes Mendes dhe Napolit, që janë të hapur ta marrin, por vetëm nëse largohet Victor Osimhen, që mund t’i bashkohet Man Unitedit në një marrëveshje shkëmbimi.
Kanë mbetur edhe tre ditë derisa afati kalimtar veror të mbyllet plotësisht, prandaj mbetet të shihet nëse do të realizohet ndonjëra prej këtyre marrëveshjeve.
