E kryer, Chelsea siguron transferimin e mesfushorit premtues brazilian - NACIONALE

E kryer, Chelsea siguron transferimin e mesfushorit premtues brazilian

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Chelsea ka arritur marrëveshje të plotë me Vasco Da Gama për sigurimin e kartonit të Andrey Santos. Ai ka nënshkruar një kontratë afatgjate me klubin londinez.

Mesfushori i ri premtues brazilian, Andrey Santos, do t’i përforcojë radhët e Chelseat. Ky është përforcimi i radhës në vazhdën e shumë futbollistëve që po afron në gjirin e vet klubi nga Londra.

Eksperti i transferimit të futbollistëve, Fabrizio Romano, lajmin e kumtoi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social “Twitter”. Sipas Romanos mesfushori brazilian ka nënshkruar një kontratë afatgjate.

“Zyrtare. E konfirmuar. Andrey Santos ka nënshkruar një kontratë afatgjate si futbollist i ri i Chelseat duke u transferuar nga Vasco Da Gama”, tha ai.

Romano njoftoi edhe në lidhje me shifrën e parave që drejtuesit e klubit anglez kanë paguar për klubin brazilian në mënyrë që ta siguronin kartonin e tij.

“Chelsea do t’i paguajë 12,5 milionë euro Vasco Da Gamas për talentit brazilian, që është i gjeneratës 2004. Ai është në Londër që nga java e kaluar”
, përfundoi Romano.

Santos në 34 paraqitje sa ka zhvilluar në Serie B të Brazilit ka shënuar 8 gola, duke ngazëllyer kështu edhe ekipin e skautëve të Chelseat. Këta të fundit besojnë fuqimisht në talentin dhe potencialin e tij teknik, që do të mund të zhvillohet edhe mëtutje duke qenë pjesë e tyre.

Santos është edhe pjesë e grupmoshave të reja të Brazilit. Ai është grumbulluar nga Brazili U20. Me “Seleçao” është grumbulluar rregullisht që prej grupmoshës U16, duke qenë kështu njëri nga futbollistët që pritet të jenë pjesë e kombëtares A në të ardhmen shumë të afërt.

Lajme të ngjashme