E konfirmuar: Milot Rashica mungon ndaj Bjellorusisë
Sulmuesi Milot Rashica do të mungojë përfundimisht ndaj Bjellorusisë, gjë që e ka konfirmuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademi.
Rashica pësoi lëndim kundër Rumanisë duke u detyruar të zëvendësohet pas vetëm 45 minutave lojë, e fatkeqësisht s'ka arritur të rikuperohet për ndeshjen e të hënës kundër Bjellorusisë.
Edhe pse s'ka pasur ndonjë komunikatë nga FFK-ja, ishte Ademi që me anë të një postimi në "Instagram" konfirmoi mungesën e yllit të Galatasarayt.
"Lëndimi i pësuar në ndeshjen kundër Rumanisë ia pamundëson të luajë sonte përballë Bjellorusisë, por Milot Rashica do të jetë në përkrahje të fuqishme të bashkëlojtarëve".
"Sonte bashkë jemi tifoz Dardanë", shkroi Ademi.
Tre pikët të domosdoshme për Kosovën në Hungari
Kombëtarja e Kosovës tani duhet me patjetër të arkëtojë pikët e plota në Hungari në mënyrë që të mbetet në garë për kualifikimin e mundshëm.
“Dardanët” kanë vetëm tre pikë, katër më pak se Rumania që është pozitë e dytë dhe me një fitore të sotme dhe duke shpresuar që Zvicra t’i mposhtë rumunët distanca do të zbritej vetëm në një pikë.
Ndeshja e të hënës mbetet jetike për Kosovën pasi në rast që nuk ka fitues, atëherë do të komplikohen edhe më shumë gjasat për një kualifikim të mundshëm në Evropian.
Kujtojmë, përpos Rumanisë dhe Kosovës për pozitën e dytë në garë mbetet edhe Izraeli që ka katër pikë të tubuara, ku sonte përballet me Andorrën.
