E konfirmuar: Llapi e bleu sulmuesin meksikan që shënoi vetëm një gol për 150 mijë euro - NACIONALE

E konfirmuar: Llapi e bleu sulmuesin meksikan që shënoi vetëm një gol për 150 mijë euro

3 vjet më parë

nga Edonis Bytyqi

Edhe pse edicionin e kaluar shënoi vetëm një gol në 27 paraqitje në të gjitha garat, Llapi shpenzoi plot 150 mijë euro për të blerë sulmuesin meksikan Jose Cobian, këta e tha Tahir Batatina për Gazetën Nacionale.

Ish kampioni i Kupës së Kosovës njoftoi përforcimin më të fundit duke kompletuar prurjen e Cobian, që nënshkroi kontratë njëvjeçare me opsion vazhdimi për një tjetër.

Sidoqoftë, meksikani i ka kushtuar tejet shumë Llapit pasi klubi nga Podujeva ka shpenzuar plot 150 mijë euro për këmbëshpejtin, i cili është bërë ndër më të paguarit në Superligën e Kosovës.

Po e kemi blerë kartonin e tij të plotë që ka kushtuar 150 mijë euro. Normalisht është ndër më të paguarit tani në Superligën e Kosovës. Kuptohet paga e tij është shumë më e ulët se sa ka kushtuar kartoni i tij, por është një ndër më të paguarit”, konfirmon trajneri Batatina.

Nëse shohim statistikat, atëherë meksikani del të jetë futbollist i “tmerrshëm” pasi edicionin 2022/23, ai shënoi vetëm një gol në 27 paraqitje në të gjitha garat, ku më shumë kishte karton të verdhë (katër sosh).

Mirëpo, Batatina beson se eksperienca e tij në Superligën e Meksikës do të jetë e mjaftueshme që lojtari ta bëjë dallimin në futbollin kosovar.

Besoj e keni parë se në cilat ekipe ka luajtur ky lojtar. Vitin e kaluar ka qenë më i miri në skuadrën e tij. Mua më është dashur një sulmues i krahut dhe e kam vlerësuar lartë shpejtësinë e tij. Normalisht gjithçka tregohet në fushë, por besoj plotësisht se do të ambientohet shumë shpejtë”.

Keni parë në botën e futbollit se ka futbollistë që janë blerë me miliona dhe nuk e kanë treguar veten. Por mendoj se ai do t’ia del të ambientohet dhe falë eksperiencës do të na ndihmoj shumë sezonin tjetër”, deklaroi ai për Gazetën Nacionale.

Në karrierën e tij profesionale, edicioni më i mirë i Cobian rezulton të jetë sezoni 2018/19, ku shënoi gjashtë gola në 21 paraqitje.

Lajme të ngjashme