E konfirmon Ancelotti: Casemiro ka vendosur të largohet nga Real Madrid
Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ka konfirmuar se mesfushori me tipare defensive, Casemiro dëshiron të largohet nga "Santiago Bernabeu".
Braziliani ishte i pranishëm në stërvitjen e ditës së premte, por që raportohet se ka pranuar ofertën e Manchester Unitedit, për katër vitet e ardhshme ku do të fitojë pagë prej 350-410 mijë euro në javë.
Në konferencë për shtyp para ndeshjes ndaj Celta Vigos, edhe Ancelotti e ka pranuar se Casemiro i ka kërkuar ta lejojë të largohet pasi do një sfidë tjetër.
"Po, kam biseduar me Casemiron. Ai dëshiron të provojë një sfidë tjetër".
"Duhet t'ia respektojmë dëshirën. Negociatat janë duke vazhduar, por Casemiro ka vendosur të largohet nga Real Madrid", tha tekniku italian.
Oferta e lartë e Manchester Unitedit për Casemiron
Manchester United thuhet se ka bërë një ofertë për Casemiron që pritet të pranohet shumë shpejtë nga Real Madridi.
Gjiganti anglez do të paguajë 60 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse për shërbimet e brazilianit, i cili do të nënshkruajë për katër vite me opsion për të pestin.
Ndërkohë, Casemiro raportohet se veçse ka arritur marrëveshje personale pasi dëshiron të luajë edhe në Premierligë meqenëse ka fituar të gjitha trofetë e mundshëm te Real Madridi.
Sidoqoftë, lojtari nuk do të jetë në gjendje të luajë të hënën e ardhshme ndaj Liverpoolit pasi do të kryejë edhe testet mjekësore.
Casemiro te Man United do të gjejë dy ish bashkëlojtarët e Realit, Raphael Varane dhe Cristiano Ronaldo, me këtë të fundit që vazhdon të jetë në dyshime nëse do të mbetet në “Old Trafford”.