E bujshme nga Italia: Juventusi pas Cristian Shpendit
Futbollisti shqiptar Cristian Shpendi falë paraqitjeve mahnitëse në Serie B ka fituar vëmendjen e Juventusit.
Mediat në Itali raportojnë se Juve së bashku me Fiorentinan kanë dërguar skautë për ta shikuar Shpendin në javët e fundit, ku këta të fundit kanë përcjellë paraqitjet e tij me Cesenan.
Shpendi po mahnitë të gjithë në Serie B, ku ka shënuar deri më tani 10 gola në 16 paraqitje dhe do të ishte një opsion i lirë për “Zonjën e Vjetër”, në rast që i qëndrojnë prapa planit për ta shitur serbin Dusan Vlahovic.
Gazetari italian Nico Schira raporton se lojtari do të vazhdojë të përcillet nga klubet italiane deri në fundin e sezonit, ndërsa pastaj mund të merret ndonjë vendim.
Vlen të ceket se përpos klubeve, edhe Federata Italiane po e përcjellë lojtarin e U21-shave të Kombëtares së Shqipërisë, me vetë sulmuesin që e ka lënë të hapur si mundësi kur deklaroi se do ta “konsideronte opsionin e të veshurit fanellën azzure".
Kujtojmë, Shpendi s’u ftua çuditërisht nga Sylvinho në muajin nëntor pavarësisht formës që po kalon dhe mbetet të shihet nëse do të marrë ftesë në muajin mars për kualifikueset e Botërorit 2026.