Dyshja e PSG-së e pranishme në një ndeshje të NBA-së pas humbjes së turpshme nga Lensi
Dy yjet e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe e Achraf Hakimi, pas humbjes së turpshme ndaj Lensit në Ligue 1, kanë udhëtuar për në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shikuar një ndeshje basketbollit të ligës më të fortë në botë, NBA.
Siç duket francezi dhe marokeni e kaluan shpejt humbjen tronditëse në elitën franceze në ditën e Vitit të Ri me rezultat 3:1, teksa ishin të pranishëm në fitoren e Brooklyn Nets në NBA-së ndaj San Antonio Spurs të hënën.
Ylli i Nets, Kevin Durant, iu afrua dyshes së PSG-së dhe ua dorëzoi fanellën e tij, ndërkohë që u fotografua me dy futbollistët pas një shfaqjeje tjetër të bukur të tij ku shënoi 25 pikë për skuadrën e tij, për fitoren e 12-të me radhë.
Trajneri i kampionit në fuqi të Francës, Christophe Galtier, ka konfirmuar se si Mbappe ashtu edhe Hakimi i kanë ‘disa ditë të lira’, pas kthimit të shpejt nga kombëtaret e tyre nga Kupa e Botës Katar 2022.
Mbappe udhëhiqi Francën drejt finales, për të humbur pastaj nga Argjentina e Lionel Messit në penallti, ndërsa Hakimi bëri befasinë e ëmbël me kombëtaren e Marokut, ku u kualifikuan deri në gjysmëfinale, për të përfunduar të katërtit në fund.
Paris Saint-Germain do të zhvillojë ndeshjen e ardhshme më 6 janar në kuadër të Kupës së Francës ndaj Chateauroux dhe menjëherë pas pesë ditësh do të luajë në Ligue 1, por dy yjet që udhëtuan për në Amerikë, nuk do të paraqitën deri më 15 janar, ndërsa Messi pritet të luajë më 11 janar, pasi deri më tash ishte në festë pas triumfit në Katar.

