“Dy persona e qëlluan”, vëllai jep detaje si u vra boksieri Besar Nimani
Dy persona nga tre që i kanë dalë në pritë e kanë qëlluar ish kampionin e Evropës Besar Nimani, kështu ka deklaruar vëllai i tij Berati.
Boksieri me prejardhje nga Kosova ka mbetur i vrarë të shtunën mbrëma shkaku që u qëllua me armë nga disa persona, ku janë shtënë tetë plumba sipas mediave gjermane.
Vëllai i tij, Berati për “Paparacin” ka shpjeguar se si ka ndodhur rasti duke treguar se tre persona i kanë dalë në pritë, ndërsa dy prej tyre e kanë qëlluar.
“Kur ka ndodh rasti Besari i ka sjell fëmijët dhe bashkëshorten te unë, pastaj ka dal në qytet për të shku në përvjetorin e vdekjes së një shokut të tij, gjatë rrugës ka shku me marr një shok tjetër në lokal ndërsa tre persona e kanë pritur në rrugë dy nga të cilët e kanë qëlluar Besarin”.
Ai ka shtuar se me njërin prej tyre Besari kishte pasur problem edhe para disa viteve.
“Para tre viteve njëri nga të dyshuarit kishte hyrë në lokalin e Besarit, dhe kanë pasur një debat aty, Besari e ka qitur jashtë lokalit”, shtoi ai.
Sipas Beratit, një nga të dyshuarit tashmë është dorëzuar në Polici, kurse dy të tjerët ndodhën në arrati.