Dy ndeshje të rëndësishme sot në Gjilan dhe Suharekë - NACIONALE

Dy ndeshje të rëndësishme sot në Gjilan dhe Suharekë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Xhiroja e 29 në Superligën e Kosovës në futboll mbyllet me dy ndeshjet e së dielës në mesditë, Ballkani-Prishtina dhe Llapi-Drita.

Ballkani pret Prishtinën duke e ditur se një rrëshqitje e mundshme mund të rihapë garën e fortë për titull.

Suharekasit aktualisht kryesojnë në tabelë me 60 pikë, pesë më shumë se Gjilani në të dytin, por 'Skifterat' kanë një ndeshje më shumë të luajtur.

Ballkani futet në këtë takim pas katër fitoreve rresht në Superligë, derisa humbjen e fundit e kishte pësuar nga Malisheva, me rezultat 2-0, më 9 mars.

Prishtina poashtu ka arsye të jetë e motivuar pas dy fitoreve rresht, dhe katër në pesë takimet e fundit, me kryeqytetasit që së fundmi mposhtën Malishevën me rezultat 3-2.

Në ndeshjen tjetër, po aq interesante, Llapi luan si nikoqir i Dritës.

'Intelektualët' aktualisht pozicionohen në vendin e tretë në tabelën e Superligës me 52 pikë, derisa kanë regjistruar tri fitore në tri ndeshjet e fundit.

Në anën tjetër, Llapi në xhiron e fundit mposhti Ulpianën, pas katër ndeshjeve rresht pa fitore (dy barazime dhe dy humbje).

Është një përplasje në të cilën të gjithë do ta kenë njërin sy, pasi këto dy skuadra do të ndeshen edhe në finalen e Kupës së Kosovës këtë edicion.

Përballja mes Ballkanit dhe Prishtinës luhet me fillim nga ora 13:30, ndërsa ai mes Llapit dhe Dritës nga ora 14:00.

Kujtojmë se ditën e djeshme, e shtunë, u zhvilluan tri ndeshjet e tjera të javës së 29.

Tani edhe zyrtarisht mund të konstatohet që Feronikeli ka rënë nga liga, pas humbjes që pësuan nga Gjilani me rezultat 5 me 1, me dygolëshin e Razak dhe golat tjera që i shënuan Kelmendi, Krasniqi dhe Progni. Ndërsa, për mysafirët golin e nderit e shënoi Qorri, i cili ishte edhe i pari që u shënua në ndeshjen e sotme.

Malisheva pa asnjë problem fitoi ndaj Ulpianës që duket sikur është dorëzuar tashmë. Tanimë ulpianasit gjenden 9 pikë larg pozitës së barazhit që e mbulon Dukagjini.

Kjo e fundit [Dukagjini] siguroi për herë të parë fitore në historikun e përballjeve direkte ndaj Drenicës. Kjo ishte fitore tejet domethënëse, pasi i afrohet në vetëm dy pikë ekipit të Drenicës në luftë për shmagie të mbijetesës. Heroi i ndeshjes për skuadrës nga Klina ishte Shala, duke shënuar në minutën e 72-të.

Ismet Munishi u deklarua në përfundim të ndeshjes, pasi skuadra e tij arriti të fitojë me rezultat të thellë 5 me 1 ndaj Feronikelit.

"Skuadra u paraqit mirë. Pranuam një gol shkaku i një pakujdesie. Duhet të jemi të vëmendshëm. Nuk më pëlqeu fillimi i ndeshjes.

"I përgëzoj djelmoshat për angazhim. Ndeshja që treguam e arsyeton edhe rezultatin e sotëm.

"Shpresoj që edhe në ndeshjet e ardhshme të vazhdojmë me këtë ritëm, ku do të shënojmë", deklaroi Munishi.

Armend Dallku është deklaruar i lumtur pasi skuadra e tij arriti të fitojë një ndeshje të rëndësishme, si ajo në 'Bajram Aliu' përballë Drenicës, falë golit të Shalës.

"Dua t'i përgëzoj lojtarët dhe tifozët tanë që kanë udhëtuar të shumtë për të na përkrahur sot. Drenica ishte kundërshtari i vetëm që na ka mposhtur në të tri ndeshjet, andaj edhe i kemi marrë të gjitha masat paraprakisht.

"I kemi motivuar lojtarët jashtëzakonisht shumë. Kemi bërë pressing të lartë, duke mos i lënë asnjë mundësi kundërshtarit. Në anën tjetër ne krijuam shumë raste shënimi.
"Çdo lojtar është i rëndësishem për neve. Shpresoj që në ndeshjet në vijim t'i kemi në dispozicion si Zhdrellën, ashtu edhe Januzin.

"Nëse ndalemi dhe e analizojmë ndeshjen e sotme, besoj që është dashur t'i shënojmë tri gola në këtë ndeshje. As unë e as klubi nuk u bëjmë presion lojtarëve se pse nuk po i konkretizojnë golat, por i udhëzojmë dhe inkurajojmë që të kenë më shumë besim tek vetja", deklaroi trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku.

Trajneri i Ulpianës, Fadil Ademi, është shfaqur i zhgënjyer pasi skuadra e tij nuk arriti të dalë me një pikë nga ndeshja e sotme ndaj Malishevës në udhëtim, të cilën e humbën me rezultat 1 me 0.

“Jemi duke bërë përpjekje të luftojmë. Së paku nuk po dorëzohemi. Do ta bëjmë të pamundurën të mundur, sepse dallimi mes këtyre të dyjave është vetëm vendosmëria. Mund të them se lojtarët sot u përpoqën ta bëjnë të pamundurën dhe un si njeri i sportit them se sot futbolli ka qenë definitivisht i padrejtë, për shkak se djelmoshat tanë kanë merituar së paku një pikë.

"Kështu e ka futbolli. Futbolli i nuk është shkencë ku 1+1 bëjnë 2. Edhe kur luan mirë mundesh të mos fitosh. Futbollistët e mi sot luftuan, patën shpirt luftarak dhe shpenzuan edhe atomin e fundit të energjisë për të arritur së paku atë qe e merituam [barazimin].

"Do të vazhdojmë me këtë angazhim dhe mos të dorëzohemi. Hapi i parë i dështimit është kur ti mendon se ke dështu", deklaroi trajneri i Ulpianës, Ademi.

Trajneri i Malishevës, Arsim Thaqi është ndarë i kënaqur me fitoren ndaj Ulpianës.

Tekniku malishevas e vlerëson këtë fitore si shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

“Është njëra nga ndeshjet më të rëndësishme. Ulpiana bëri një lojë të mirë dhe na vuri në vështirësi”.

“Kemi pasur shumë raste shënimi të cilat nuk i konkretizonim. Kemi marrë tri pikë të rëndësishme për të qenë më të qetë në vazhdimin e kampionatit”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të stërvitemi që të marrim sa më shumë pikë dhe ta sigurojmë mbijetesën në Superligën e Kosovës në futboll”, deklaroi Thaçi.

Lajme të ngjashme