Dukagjini me dy lojtarë më pak e mposht Feronikelin 74, Gjilani barazon me Suharekën
Java e 13-të e Superligës së Kosovës ka filluar me dy ndeshjet që u zhvilluan sot, aty ku Dukagjini ndonëse me dy lojtarë më pak, arriti të marr fitore 2:1 ndaj Feronikelit 74, e në anën tjetër Gjilani e Suhareka i ndanë pikët.
Përballja mes Dukagjinit e Feronikelit e zhvilluar në Klinë ishte e zjarrtë.
Gola në pjesën e parë nuk pati, por 45 minutat në vijim dhuruan shumëçka për t'u parë.
Hekuran Berisha ia dha epërsinë skuadrës së Ismet Munishit në minutën e 52-të, kur shënoi për 1:0.
Dukagjini mbeti me një lojtar më pak në fushë pas një ore lojë, ndërsa Feronikeli 74 e humbi penalltinë dhe mundësinë për të barazuar rezultatin në minutën e 65-të, ku gaboi Suad Sahiti.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Dukagjini mori edhe një karton të kuq. Ishte Faton Neziri që u ndëshkua pas ndërhyrjes së ashpër në minutën e 82-të.
Feronikeli 74 që ishte me dy futbollistë më shumë u hodh në sulm dhe në minutën e 88-të me Ioannidis barazuan shifrat në 1:1.
Por, skuadra e Ismet Munishit nuk u dorëzua deri në fund, ndonëse ishin me dy lojtarë më pak.
Në minutën e shtatë shtesë, Viktor Hugo shënoi për 'Hithat', pas asistimit të Khomutov, duke ia dhuruar fitoren Dukagjinit me rezultat 2:1.
Dukagjini tani renditet në vendin e gjashtë me 17 pikë të grumbulluara, ndërsa Feronikeli 74 vijon të mos e shijojë akoma fitoren dhe gjendet krejtësisht në fund.
Në takimin tjetër, Gjilani barazoi me Suharekën 1:1.
Suhareka doli e para në epërsi në minutën e 32-të me anë të Stijepovic, ndërsa vetëm katër minuta më vonë, Senad Jarovic barazoi me një gol tejet të bukur.
Deri në fund nuk pati ndryshim në rezultat.
Gjilani vazhdon formën jo të mirë në Superligë, ku gjendet në vendin e tetë pas 13 xhirove, ndërsa Suhareka me 12 ndeshje ka grumbulluar 18 pikë.