Dukagjini i Ismet Munishit pëson humbje sërish, mposhtet nga Suhareka
Skuadra e promovuar në Superligë këtë sezon, Suhareka, e ka mposhtur Dukagjinin e Ismet Munishit me rezultat 3:1, duke ua shkaktuar humbjen e dytë radhazi në po aq ndeshje në sezonin e ri të elitës së futbollit kosovar.
Përballja e vetme e ditës së sotme në Superligë u zhvillua në stadiumin e qytetit të Suharekës.
Dy gola të anuluar nga VAR-i, tre gola të shënuar në tërësi ishte epilogu që i dha fitoren e parë Suharekës në Superligën e Kosovës, duke ditur që kjo skuadër u krijua para pak vitesh.
Vendasit shënuan shpejt me anë të Jakup Berishës vetëm pas 30 sekondash, por që goli u anulua nga VAR.
Pas disa rasteve të krijuara nga dy skuadrat, Dukagjini erdhi deri te goli me anë të Hekuran Berishës, por që edhe kësaj radhe intervenoi VAR, pasi golashënuesi luajti me dorë.
Pjesa e parë e takimit u mbyll pa gola, teksa në 45 minutat në vazhdim u shënuan katër gola.
Goli i parë historik për Suharekën erdhi në minutën e 50-të kur Mevlan Zeka shënoi lehtësisht për 1:0.
Por gëzimi zgjati shumë pak, pasi Hekuran Berisha barazoi shumë shpejt në 1:1.
Jakup Berisha e ktheu epërsinë për vendasit, kur shënoi gol të bukur me goditje të fortë në minutën e 69-të.
Për rezultatin përfundimtar u kujdes kapiteni Mevlan Zeka, që nga penalltia realizoi në minutat shtesë për 3:1.
Kësisoj, Suhareka tani ka katër pikë në dy xhirot e para, teksa Dukagjini i Ismet Munishit vazhdon me 0 pikë.