Dukagjini dhe Malisheva ndahen baras në një ndeshje dëshpëruese
Dukagjini dhe Malisheva janë ndarë baras 0:0 në një ndeshje dëshpëruese për sy dhe pa gola në Klinë, pavarësisht pritshmërive duke e parë gjendjen e tyre në renditjen tabelore në Superligë.
Takimi në Klinë mes dy klubeve që janë në luftë të drejtpërdrejt për mbijetesë në elitë e hapi javën e 27-të në Superligë pas një pushimi rreth dyjavor për shkak të ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës.
Erërat e forta dhe terreni i renduar i fushës në stadiumin “18 Qershori” për shkak të reshjeve të mëdha të shiut gjatë mbrëmjes patën ndikimin e tyre në lojën e treguar nga të dy palët.
Në një pjesë të parë goxha të barabartë, skuadra e Arsim Thaqit provoi me goditje nga largësia ta thyejë akullin, por goditjet e Xhevdet Shabanit dhe Behar Maliqit ishin të plogështa për ta mposhtur portierin.
Malisheva - e cila mbetet në pozitën e pestë pas kësaj pike me 34 pikë në përgjithësi, katër më shumë se Dukagjini që është i teti në zonën e play-off për mbijetesë – ishte më e mirë në pjesën e dytë por nuk arriti të krijojë mundësi reale shënimi.
Dukagjini do ta vajtojë mundësinë e artë të Stefan Nikolicit, i cili nuk arriti të shënojë i vetëm përballë portierit. Ahmed Januzi e pati një tjetër mundësi të mirë shënimi.
Thaqi këmbënguli se me pak fat Malisheva e tij ka mundur të kthehej me tri pikë nga Klina.
“Më pak fat kemi mundur ta fitonim ndeshjen. Dëshiroj të vazhdojmë kështu por natyrisht me më shumë fat. Mendoj se gjyqtari është dashur ta ndëshkojë me karton të kuq portierin. Ishte e vështirë të luhej në këto kushte”, tha Thaqi.
Trajneri i Dukagjinit Armend Dallku u shpreh i lumtur me angazhimin e lojtarëve të tij në një fushë të vështirë për të luajtur në Klinë dhe ka shpresa për mbijetesë.
“Patëm mundësi më shumë se kundërshtar. Bëmë të pamundurën për të shënuar gol. Bëmë lojë shumë të mirë. Pjesa e dytë ishte më e vështirë, edhe për shkak të terrenit. Jam i kënaqur me angazhimin dhe dëshirën e lojtarëve. Kampionati është i gjatë dhe gjithçka mund të ndodhë. I patëm mundësitë tona me Nikolic dhe Januzin, puna e trajnerit është ta dërgojë ekipin deri në 16-metërsh”, tha Dallku.