Dukagjini bën befasinë e javës, triumfon ndaj Prishtinës në "Fadil Vokrri" - NACIONALE

Dukagjini bën befasinë e javës, triumfon ndaj Prishtinës në "Fadil Vokrri"

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dukagjini ka shkaktuar befasinë e ditës duke mposhtur në kryeqytet Prishtinën me rezultat të ngushtë 0:1 në ndeshjen e fundit që ishte në program sot në Superligën e Kosovës.

Prishtina llogaritej favorite absolute për të fituar në sfidën kundër Dukagjinit. Ekipi nga Klina edhe ashtu nuk po kalon në formë të mirë në kampionat gjatë këtij edicioni, meqë po has në vështirësi të mëdha për të arkëtuar pikë.

Sido që të jetë, kjo ishte përballja direkte e tretë radhazi që Dukagjini nuk mposhtet nga Prishtina në “Fadil Vokrri” dhe fitorja e dytë radhazi në këtë stadium përballë skuadrës së drejtuar nga Munishi.

Panorama e ndeshjes pa Prishtinën më mbizotëruese në lojë, por kjo nuk i mjaftoi. Lëndimet e shumta, që prodhuan mungesa të rëndësishme në skuadër, ndikuan që Prishtina të mos ishte efikase aq sa duhej para portës.

Kështu, kur zhvillohej minuta e 30-të, Iljasa Zulfiu shënoi golin e vetëm në ndeshje, duke i dhënë një dush të ftohtë Prishtinës.

Nga një aksion që edhe ashtu nuk premtonte shumë, ai zuri në befasi mbrojtjen kryeqytetase, duke shënuar për 0:1.

Para se të përmbyllej pjesa e parë, Prishtina u mundua me çdo kusht që ta gjente golin e barazimit, por pa sukses. Genc Nuza në një moment ia anuloi edhe një gol vendësve, i cili u pa që ishte i parregullt edhe nga pamjet televizive që pasuan në reprizë.

Në pjesën e dytë prishtinasit sulmuan me të gjitha forcat në drejtim të portës së Haxhihamzës.

Në anën tjetër, mysafirët me një kompaktësi të mirë në mbrojtje, bënë që Prishtina të mos kishte shumë raste shënimi.

Trajneri Ismet Munishi provoi që me anë të disa zëvendësimeve t’ia jepte ekipit një shkundje në fushë, por pa sukses.

Dukagjini vijoi që ta koncentronte lojën e vet në mbrojtje, me disa kundërsulme kur ato ishin të mundura, me theks të veçantë falë shpejtësisë dhe përvojës së Altin Merlakut.

Rastin më të mirë për ta barazuar rezultatin Prishtina e pati në minutën e 80-të me Gashin, që goditi fuqishëm me kokë. Në vijën e portës Arbër Shala largoi rrezikun, duke ruajtur kështu epërsinë e skuadrës së tij.

Për më keq, nikoqirët mbeten me një lojtar më pak, pasi nga loja u përjashtua me karton të kuq Gledi Mici në minutën e 86-të të takimit.

Emocionet nuk rreshten deri në fund të ndeshjes, pasi Genc Nuza akordoi penallti në favor të Dukagjinit në minutën e 96-të, por portieri Nika priti goditjen e Elton Basris.

Kështu përfundoi edhe ndeshja. Kjo ishte fitorja e parë për Dukagjinin si mysafir gjatë këtij edicioni, ndërsa e dyta me radhë pas fitores që arriti ndaj Ferizajt para një jave.

Prishtina nuk di për fitore qe tri ndeshje. Pas barazimit pa gola në derbin ndaj Dritës, as kësaj radhe “bardhekaltrit” nuk arritën ta gjenin golin.

Pas këtij rezultati Prishtina zë vendin e 4-të në renditjen tabelore me 12 pikë, ndërsa Dukagjini renditet në pozitën e parafundit me 8 pikë, duke iu afruar kështu ekipeve që luftojnë për ta shmangur mbijetesën.

Lajme të ngjashme