Drita fiton bindshëm ndaj Trepçës'89 dhe vazhdon kryesimin në tabelë
Sot në stadiumin me bari sintetik në Gjilan është zhvilluar takimi i parë i javës së 10-të në Superligën e Kosovës, ku janë takuar Drita me Trepçën ’89, dhe nuk kishte fare befasi me vendasit që shënuan fitore 3:1 dhe vazhdojnë të kryesojnë tabelën ndonëse kanë tre ndeshje më shumë të zhvilluara se Ballkani.
Gjilanasit hynë në këtë takim me një formë të mirë, ku në pesë takimet e fundit ka fituar katër dhe ka barazuar një herë, duke mbetur skuadra e vetme në Superligë pa humbje, ndërsa Trepça ’89 pavarësisht humbjes mbanë pozitën e gjashtë në tabelë me nëntë pikë të grumbulluara në tetë ndeshje, ku në pesë takimet e fundit ka pasur tre humbje dhe dy fitore.
Raporti i ndeshjes Drita – Trepça ‘89
Një ndeshje mjaft e bukur u zhvillua sot në Gjilan me dy skuadrat që kishin rastet e tyre për të konkretizuar, por që Drita u tregua më konkrete teksa iu falënderua Faton Malokut që falë një paraqitje superiore nuk pësuan asnjë gol në pjesën e parë nga Trepça’89.
Rasti i parë në ndeshje i takoi Blend Baftiut që tentoi nga afërsia me një goditje të fortë në minutën e katërt, por topi shkoi mbi portë.
Nuk vonoi goli i parë i epërsisë për Dritën, që erdhi në minutën e shtatë me anë të Muharrem Jasharit, pas një goditje shumë të mirë nga jashtë zonës, që la pa gjasa portierin Prince, për 1:0.
Rasti i parë i rrezikshëm për mitrovicasit erdhi në minutën e 14-të, ku Bleon Sekiraqa me një goditje parabolë tentoi nga një distancë e largët por ishte shtylla që ia mohoi golin e barazimit.
Përgjatë minutës 34 deri në 36, Trepça ’89 rrezikoi portën disa herë, dhe në të gjitha rastet Maloku intervenoi shumë bukur.
Fillimisht ishte një top i bukur në zonë me Sekiraqën që goditi por u ndal nga trupi i Malokut, e pastaj ishte një goditje nga distanca e Christian Mba, ku edhe kësaj radhe topi u ndal nga portieri.
Mitrovicasit arritën ta barazonin rezultatin fillimisht në minutën e 50-të, ku shënoi Ardian Muja, por pas rishikimit të VAR-it, goli u anulua dhe u akordua penallti për Dritën.
Besnik Krasniqi u tregua i saktë nga pika e penalltisë në minutën e 54-të për 2:0, ndonëse goditja e tij e fort u lexua nga portieri, Prince.
Edhe një herë Maloku u tregua vendimtar, ndonëse goditja e Pllanës në minutën e 66-të nuk e kishte forcën e duhur, pasi doli në situatë një me një me portierin.
Atë që nuk e arriti Pllana, në anën tjetër e bëri Ardit Tahiri, që përfitoi nga një top i kthyer gabim te portieri, për të shënuar lehtësisht për 3:0.
Trepça '89 arriti ta ngushtojë epërsinë me një gol të realizuar nga Muja në minutat shtesë, por kjo ishte e tëra çfarë ata arritën ta bënin në këtë ndeshje.
Drita i gëzohet kësaj fitoreje, kështu duke mbajtur pozitën e parë në tabelën e klasifikimit, të paktën deri në zhvillimin e ndeshjeve që ka më pak kampioni i Kosovës, Ballkani.
