Drita triumfon në derbi ndaj Ballkanit, Feronikeli 74 barazon me Gjilanin, Malisheva e mposht Prishtinën - NACIONALE

Drita triumfon në derbi ndaj Ballkanit, Feronikeli 74 barazon me Gjilanin, Malisheva e mposht Prishtinën

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Janë zhvilluar tri ndeshjet e para të javës së 21-të të Superligës së Kosovës, aty ku kryendeshja ishte mes Dritës e Ballkanit, me të parët që dolën fitues me rezultat 1:0. Në anën tjetër Malisheva ka fituar 2:0 ndaj Prishtinës, e Gjilani ka barazuar pa gola me Feronikelin 74.

Kampioni i Kosovës, Ballkani, po përballet me kohë të vështira në elitën kosovare, pasi rezultatet jo të mira po vazhdojnë dhe tani me humbjen sot, Llapi ka mundësinë të afrohet në vetëm një pikë.

Padyshim ndeshja kryesore e kësaj jave ishte mes Dritës e Ballkanit e zhvilluar në Gjilan, në stadiumin me bari sintetik.

Gjilanasit e filluan mirë, kur në minutën e 14-të goditën shtyllën dhe vetëm pas gjashtë minutash ishte portieri Ljuljanovic që shpëtoi Ballkanin nga pësimi i golit.

Të dy skuadrat në pjesën e parë patën mundësitë, me Dritën që ishte në një nuancë më mirë, por 45 minutat e para përfunduan pa gola.

Edhe pjesa e dytë filloi me sulmet e Intelektualëve, ku sërish portieri i Ballkanit e mohoi një gol.

Pas mundësive të njëpasnjëshme, erdhi goli për Dritën. Ishte Juan Mesa që shënoi me kokë në minutën e 62-të, kur Besnik Krasniqi harkoi nga gjuajtja e lirë.

Deri në fund të takimit raste pati, por gola të shënuar jo dhe kështu Drita arkëtoi pikët e plota nga ky takim.

Feronikeli 74 - Gjilani

Ndeshja e vetme e kësaj jave pa gola, ishte ajo mes Feronikelit 74 dhe Gjilanit, e zhvilluar në Stadiumin Rexhep Rexhepi në Drenas.

Të dy skuadrat janë në luftë për mbijetesë, me skuadrën e Shefki Kuqit që ka bërë disi më mirë në këto ndeshjet e para të gjysmësezonit të dytë.

Ky barazim i lë skuadrat në vendet ku ishin, pra Gjilani në të tetin e Feronikeli në të shtatin.

Prishtina - Malisheva

Përballja interesante u zhvillua edhe në Lipjan mes Prishtinës e Malishevës.

Kjo ndeshje ishte më së afërti me thënien 'Kur nuk shënon, pëson', pasi Prishtina po krijonte vazhdimisht por nuk gjeti golin, ndërsa Malisheva shfrytëzoi dy gabime të portierit për të shënuar.

Goli i parë erdhi në minutën e 33-të, kur Agron Kolaj bëri një gabim katastrofal, me Altin Aliun e Malishevës që çoi topin në rrjetë për 1:0.

Njëjtë ndodhi edhe në pjesën e dytë, më saktësisht në minutën e 88-të, ishte përsëri Kolaj që bëri gabim të madh, me sulmuesin Rilind Haziraj që shënoi lehtësisht për fitoren 2:0 të Malishevës.

Skuadra e Qëndrim Kidës ka bërë fillim relativisht të mirë, duke fituar dy ndeshje radhazi tani, për t'u afruar në nëntë pikë me liderin, Ballkanin.

Lajme të ngjashme