Drita e mposht Ballkanin dhe shkon në +8 në krye të Superligës, Llapi barazon me Ferizajn - NACIONALE

Drita e mposht Ballkanin dhe shkon në +8 në krye të Superligës, Llapi barazon me Ferizajn

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, ka pësuar humbje nga Drita 3:2 në kuadër të xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës.

Intelektualët që janë liderët e elitës së futbollit të Kosovës, kanë bërë një hap më shumë drejt titullit kampion me këtë fitore, ndonëse ka edhe shumë ndeshje përpara.

Përballja e zhvilluar në Suharekë ishte në të mirë të skuadrës nga Gjilani.

Drita shënoi për 1:0 vetëm pas 22 minutash lojë, me Almir Ajzerajn që ishte golashënues, e Albert Dabiqaj në rolin e asistuesit.

Mysafirët e shënuan edhe një gol 10 minuta më vonë me Kastriot Selmanin, por që i njëjti u anulua për pozitë jashtë loje dhe pjesa e parë përfundoi me epërsi minimale të Intelektualëve.

Ballkani arriti ta barazonte rezultatin në minutën e 64-të, kur për 1:1 shënoi Sunday Adetunji.

Por, Drita e riktheu epërsinë shpejt. Blerim Krasniqi pranoi një asist nga Arb Manaj dhe shënoi për 2:1 në minutën e 72-të.

10 minuta më vonë, Manaj shënoi për rezultatin 3:1, teksa goli i Veton Tushës i minutës së 86-të u anulua për pozitë jashtë loje.

Krejt çfarë Ballkani bëri deri në fund ishte goli për 3:2 i shënuar në minutat shtesë.

Drita tani ka 34 pikë në krye të Superligës, me Ballkanin që momentalisht është në vendin e dytë me 26 pikë apo tetë më pak.

Në anën tjetër, Llapi, nuk ka arritur t'i japë fund serisë prej shtatë ndeshjeve pa fitore, duke barazuar krejt në fund me Ferizajn 1:1, kështu duke e çuar në tetë numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore.

Skuadra e Tahir Batatinës nuk dinte për fitore në shtatë takimet e fundit, që kur më 27 shtator e kishte mposhtur Suharekën 3:0 dhe kjo seri negative që e ka bërë të bie pothuajse në fund të tabelës po vazhdon.

Në stadiumin Zahir Pajaziti, Llapi ishte më kërkuese dhe për pothuajse 40 minuta të pjesës së dytë i zhvilloi me një futbollist më shumë në fushë.

Hamdi Namani realizoi për Llapin në minutën e 89-të për 1:0 dhe të gjithë menduan që takimi përfundoi këtu.

Kështu nuk mendoi Ferizaj, që me anë të penalltisë në minutën e nëntë shtesë barazuan rezultatin në 1:1, ku Sokol Kiqina u tregua i saktë.

Me këtë barazim, Llapi ka 17 pikë në vendin e tetë, ndërsa Ferizaj një pozitë më poshtë me 16 pikë.

Lajme të ngjashme