Drita e fiton derbin ndaj Ballkanit, Malisheva mund Gjilanin
Drita e ka fituar kryederbin e kësaj xhiroje ndaj Ballkanit, derisa Malisheva i arkëtoi pikët e plota kundër Malishevës.
Vëmendja ishte në Gjilan, ku “Intelektualët” morën pikët e plota me rezultat 1:0 ndaj Ballkanit, sfidë që ishte e zjarrtë nga fillimi.
Drita rrezikoi menjëherë me Tushën e Krasniqin që ishin afër golit por s’i finalizuan. Ballkani gjithashtu kishte një mundësi të mirë shënimi me Adetunji Sunday, por as kjo s’u konkretizua.
Gjërat u vështirësuan më vonë për Ballkanin pasi Bernard Karrica mori karton të kuq shkaku që goditi fytyrës Krasniqin (72’).
Me një lojtar më shumë, Drita e shfrytëzoi për mrekulli. Ishte Albert Dabiqaj që bëri heroin duke realizuar me kokë pas harkimit të Bejtullait për t’ia arkëtuar pikët e plota skuadrës gjilanase (83’).
Me këtë fitore, Drita ngjitët në pozitën e gjashtë me nëntë pikë, derisa Ballkani tani bie në vendin e katërt me 10 sosh.
Në anën tjetër, Malisheva po befason të gjithë këtë kampionat. Skuadra e drejtuar nga Isufi fitoi me rezultat 2:1 ndaj Gjilanit.
Vesel Limaj ishte i saktë nga pika e bardhë për t’i dhënë epërsinë Malishevës pas 21 minutave lojë.
Gjilani u këndell duke e barazuar rezultatin pas një goli të bukur të Edi Basajt (44’).
Sidoqoftë, Laurent Xhylani e vulosi fitoren në pjesën e dytë me një gol të bukur (52’).
Malisheva tani renditet në pozitën e dytë me 13 pikë, kurse Gjilani qëndron në vendin e tetë me pesë sosh.