Drita e Ballkani e kërkojnë play-offin e Ligës së Konferencës - NACIONALE

Drita e Ballkani e kërkojnë play-offin e Ligës së Konferencës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy skuadrat e vetme kosovare të mbetura në garë për kualifikim në Evropë, Drita dhe Ballkani, sot do ta kërkojnë kalimin në fazën e fundit kualifikuese të Ligës së Konferencës.

Ashtu si Intelektualët dhe Xhebrailat në ndeshjen e parë pësuan humbje 1:0.

Skuadra gjilanase humbi në udhëtim, me letonezët që e dominuan takimin me raste, ndërsa suharekasit ndonëse ishin skuadër larg më e mirë në 90 minuta, ata u mposhtën krejt në fund të takimit.

Tani të dy skuadrat kosovare kanë nevojë për një përmbysje të rezultatit, për të kaluar në fazën e fundit kualifikuese, për të synuar grupet e Ligës së Konferencës, diçka që Ballkani e ka bërë në dy vitet e fundit.

Drita - Auda zhvillohet në Prishtinë, në stadiumin Fadil Vokrri me fillim nga ora 20:00, në anën tjetër Ballkani luan në udhëtim në Irlandë te Larne me fillim nga ora 21:00, pasi humbjen e pësoi në shtëpi.

Kujtojmë se nëse Ballkani triumfon, në play-off pritet të takohet me Lincoln Red Imps, pasi këta të fundit kanë humbur 2:0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamo Minsk në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligë të Evropës.

Në anën tjetër, Dritën edhe në rast të përmbysjes së rezultatit e pret punë e vështirë, pasi do të takohet me fituesin e takimit Legia Varshavë - Brondby, me këta të fundit që e demoluan Llapin me rezultat të përgjithshëm 8:2.

Lajme të ngjashme