Drita dhe Llapi në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës
Kanë përfunduar dy nga tri ndeshjet e vlefshme për çerekfinalet e Kupës së Kosovës në futboll.
Drita ka mposhtur Ulpianën me rezultat 3-0, në përballjen që u luajt në Gjilan, me fillim nga ora 13:00.
Gjilanasit siguruan fazën gjysmëfinale pas një paraqitjeje solide dhe një fitoreje të pastër, kundër një skuadreje e cila ka pasur probleme me formë këtë fushatë.
Golin e epërsisë së parë në ndeshje për "Intelektualët" e shënoi Astrit Fazliu, i cili qëlloi cakun nga penalltia, në minutën e 24-t.
Me këtë rezultat edhe u mbyll pjesa e parë, me Dritën që vazhdoi ofanzivën në intervalin e dytë.
Në minutën e 57, Almir Ajzeraj realizoi për 2-0 dhe, deri në këtë fazë, tashmë dukej qartë kujt do t'i takonte epiteti i fituesit. Goditjen përfundimtare Ulpiana e mori në minutën e 75, kur edhe u shënua goli i tretë, përmes Albin Krasniqit.
Veç Dritës, në gjysmëfinale është kualifikuar edhe Llapi, skuadër që tregoi dhëmbët kundër Gjilanit, të cilën e mposhti 2-0.
Në fakt, për 84 minuta nuk pati gola dhe u duk se ndeshja mund të shkonte në vazhdime, para shpërthimit brenda gjashtë minutave.
Llapianët fillimisht kaluan në epërsi përmes Drilon Fazliut në minutën e lartpërmendur, para se Alef Firmino t'ia vuloste fitoren skuadrës së Tahir Batatinës, me golin në minutën e parë të kohës shtesë.
Kujtojmë se paraprakisht, në minutën 45+1, Llapi kishte kaluar në epërsi përmes Alban Shillovës, por gjyqtari i ndeshjes, Genc Nuza anuloi golin për arsy se topi i harkuar nga Arbnor Ramadani, kishte kaluar paraprakisht vijën fundore.
Takimet gjysmëfinale zhvillohen në prill, para finales së madhe që, tradicionalisht, luhet në maj.