Dresheviq: Dua të luaj në njërën prej top ligave evropiane - NACIONALE

Dresheviq: Dua të luaj në njërën prej top ligave evropiane

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ibrahim Dresheviq është futbollist i lirë, pasi nuk është pajtuar që ta vazhdojë kontratën me Heerenveen. Për të janë raportuar disa interesime nga Italia dhe Greqia, por ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim, me lojtarin që ka shprehur ambiciet e tij se ku dëshiron të luajë.

Futbollisti kosovar, Dresheviq, është në pritje për t'iu bashkuar një klubi të ri, ku do ta vazhdonte karrierën si futbollist. Me Heerenveen divorci ishte i paralajmëruar, pasi hasi në një sezon të vështirë, me shumë peripeti dhe pengesa që iu vendosën, ku veçanërisht me ish trajnerin Jansen, para se i njëjti të shkarkohej në janar nga detyra në fjalë, kishte humbur qoftë vetëbesim, ashtu edhe minutazh në fushë - me një krisje që u përshkallëzua deri te kontestimet në shtypin lokal dhe te tifozët.

Me trajnerin danez, Tobiasen, i cili mori pozitën e trajnerit në fazën e dytë të kampionatit, gjërat u përmirësuan, duke e rifituar pozitën e titullarit, por në fund nuk u gjend edhe kompromisi i dëshiruar nga klubi që ai të vazhdonte të mbetej pjesë e tij, duke mos-rinovuar kontratën.

Në një sezon ku ka lundruar nga pozita e qendërmbrojtësit te ajo e mesfushorit shkatërrues, ai ka zhvilluar 27 paraqitje në Eredivisie. Për mbrojtësin 25-vjeç, idetë janë të qarta se ku dëshiron të luajë. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe për mediumin Boras Tidning.

"Heerenveen ka qenë përvoja ime e parë në futbollin ndërkombëtar. Jam zhvilluar si futbollist dhe njeri. Nuk e di se ku do të luaj në të ardhmen e afërt, por sigurisht se në Evropë. Shpresoj në një top ligë. MLS (kampionati amerikan) dhe kampionatet tjera të ngjajshme, mund të jenë relevante më vonë gjatë karrierës sime, por jo tani", është shprehur Dresheviq.

Kësisoj, ai në mënyrë koncize ia ka mbyllur portën çdo oferte të mundshme që i ka ardhur apo do t'i vijë nga klubet e kontinenteve tjera jashtë Evropës. Kjo nuk është hera e parë që Dresheviq ka shfaqur synimin e tij të qartë të luajë në ligat kryesore evropiane. Ai një gjë të tillë e ka përsëritur vazhdimisht, sa herë që është intervistuar nga shtypi i huaj.

Hcm Sports Management është kompania e agjentëve e cila përkujdeset për menaxhimin e kartonin të tij. Një kompani mjaft e njohur evropiane, e cila ka si klientë futbollistë të spikatur, nga Frenkie de Jong, Denis Zakaria, Donny van de Beek, Victor Lindelof, Orkun Kokcu e të tjerë. Duke ditur rëndësinë dhe peshën e agjentëve në futbollin modern, Dresheviq ka shpresa të ëndërrojë për të përfunduar gjatë këtij afati kalimtar veror të futbollistëve në ndonjëren prej ligave më të mira evropiane.


Dresheviq ka luajtur tri vjet si lojtar profesionist në Elfsborg të Suedisë, nga 2016 deri në 2019 - duke zhvilluar 32 paraqitje, ku kishte shënuar 1 gol dhe 1 asist. Më pastaj, ai është transferuar te Heerenveen gjatë afatit kalimtar dimëror pikërisht të vitit 2019, ku ka luajtur në 102 ndeshje, me ç'rast ka shënuar 2 gola dhe ka kontribuar me 4 asiste tjera. Në të njëjtin vit që i është bashkuar skuadrës holandeze, ai ka vendosur ta pranojë edhe ftesën e Kosovës, ku më pas ka fituar zemrat e publikut dardan. Në të kaluarën kishte luajtur për grupmoshën U19 të Suedisë.

Lajme të ngjashme