Drenica me përmbysje triumfon ndaj Prishtinës, Trepça '89 ia shton “krizën” Dukagjinit - NACIONALE

Drenica me përmbysje triumfon ndaj Prishtinës, Trepça '89 ia shton “krizën” Dukagjinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Drenica ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Prishtinës (2:1), derisa Trepça '89 ka fituar me rezultat komod ndaj Dukagjinit (3:0), në kuadër të dy ndeshjeve që u zhvilluan ditën e diele për xhiron e tetë në Superligën e Kosovës.

Derbi më interesant ishte mes dy rivalëve të vjetër, pra Drenicës dhe Prishtinës, ku "Kuq e Zinjtë" u larguan me pikët e plota pas fitores 2:1.

Ndeshja ishte tejet interesante me dy skuadrat që provonin ta gjenin rrugën drejtë rrjetës që nga fillimi i lojës.

Ndeshja e parë pavarësisht rasteve përmes aksioneve e kundëraksioneve përfundoi ashtu siç nisi pasi nuk kishte asnjë finalizim.

Në 45-minutëshin e dytë, Prishtina e nisi më mirë duke kaluar në epërsi përmes Genc Hamitit që realizoi nga afërsia për t'i dhënë avantazhin mysafirëve (52').

Sidoqoftë, Drenica nuk u dorëzua dhe arriti ta barazojë rezultatin përmes Gavazaj, i cili përfitoi nga një gabim në mbrojtje i Glidi Micit (76').

Pas golit të shënuar, skuadra e Bekim Shotanit u motivua edhe më shumë dhe gjetën rrjetën përmes Armend Abazit, që u tregua i saktë nga pika e bardhë pas një penalltie të krijuar nga një prekje e topit me dorë (84').

Kështu, Drenica tani ngritët në pozitën e katërt në tabelë me 11 pikë të mbledhura, aq sa ka edhe Prishtina një pozitë më lartë.

Në anën tjetër, Trepça '89 ka shënuar fitore bindëse me rezultat 3:0 në "Riza Lushta" kundër Dukagjinit, skuadër që ende nuk di për këndellje.

Skuadra mitrovicase ishte shumë më e mirë gjatë tërë kohës dhe me plotë meritë mund të thuhet se i meritoi pikët e plota.

Gashia hapi serinë e golave pas 18 minutave lojë duke u asistuar bukur nga Sekiraqa (18').

Ndërsa, ishte mesfushori Rrahmani që dyfishoi epërsinë duke u treguar i saktë nga pika e bardhë (30').

Kurse fitoren e skuadrës së Shpëtim Idrizit e vulosi pesë minuta pa përfunduar koha e rregullt, golashënuesi më i mirë në ligë Mba (85').

Kështu, Trepça '89 merr fitoren e dytë këtë edicion duke u ngritur në pozitën e pestë me nëntë pikë, derisa Dukagjini vazhdon me rezultate negative duke qëndruar në fund me dy sosh.

Kujtojmë, se nesër është e paraparë të zhvillohet sfida e fundit për këtë xhiro ajo ndërmjet Ferizajit dhe Ballkanit, që nis nesër në ora 15:00.

Njëkohësisht tani skuadrat do të shkojnë një kohë në pushime, ndërsa do të kthehen më 1 tetor 2022.

Lajme të ngjashme