Drejtori i ri i Man Unitedit flet sinqerisht për klubin në rrugë: Ishte sezon makthi, dogjëm para
Shefi ekzekutiv i Manchester Unitedit, Richard Arnold ka pranuar se klubi "dogji para" dhe se sezoni i kaluar ishte "makth".
Ishte një takim sensacional ballë përballë me protestuesit anti-Glazer në një pub të Cheshire, derisa ekzekutivi i Unitedit dha një verdikt të rëndë rreth paraardhësit të tij, Ed Woodward.
Ai zbuloi se klubi humbi miliarda dhe nuk mund të zhvillojë stadiumin apo qendrën stërvitore pa investime të reja.
Një grup prej 12 fansash të frustruar u mblodhën në një pub dhe po planifikonin para shtëpisë së Arnold për shkak të mungesës së transferimeve.
Arnold, i cili zëvendësoi Woodward më 1 shkurt, u fut në pub dhe qerasi pije për fansat, derisa komunikoi me ta.
Ai u filmua duke dhënë një deklaratë brutale për klubin, teksa tha: “Ne, dreqin, kemi djegur para. Shpenzuam miliarda në lojtarë, shpenzuam më shumë se kushdo në Evropë.
“Nuk jam i ngazëllyer me pozitën që jemi, nuk është e lehtë dhe duhet ta zgjidhim këtë.
“Ju nuk mund të shkoni në qendrën stërvitore dhe ta vëreni se ku kanë shkuar ato miliarda. Nuk mendoj se kemi bërë mirë me paratë dhe ne kemi shpenzuar historikisht.
“Kemi hedhur shuma enorme parash. Vitin e kaluar ishte një makth i vërtetë. E urrejta çdo minutë”.
Fansat në mbledhje thanë se Arnoldi konfirmoi se drejtuesit e Unitedit ishin në Barcelonë për transferimin e Frenkie de Jong dhe se ai “ka qëndruar në punë për ditë të tëra për ta siguruar marrëveshjen”.
Fansat e Unitedit janë të frustruar me mungesën e aktivitetit të klubit në afatin e transferimeve, derisa rivalët si Liverpooli dhe Manchester City kanë investuar fuqishëm.
Liverpooli mposhti garën e Unitedit për transferimin e Darwin Nunez, i cili iu bashkua skuadrës së Jurgen Kloppit për gati 100 milionë euro nga Benfica.
Fqinjtë, Manchester City gjithashtu u përforcuan me ardhjen e sulmuesit të frikshëm Erling Haaland nga Borussia Dortmundi.
Arnold, 51-vjeçar, insiston se trajneri i ri, Erik ten Hag do të ketë fonde për të investuar gjatë verës, për të përmirësuar formën nga renditja në vendin e gjashtë sezonin e kaluar – pozita më e keqe në histori të klubit në Premier Ligë, derisa pati 35 pikë më pak se rivali, City.
Por ai potencoi se janë të nevojshme investimet nga jashtë për ta rikonstrukturuar “Old Traffordin” dhe qendrën stërvitore në Carrington.
Arnold shtoi: “Këtë verë, paratë që duan trajneri dhe drejtori janë aty për t’u shpenzuar”.
Dhe në një sulm direkt për Woodward, ai shtoi: “A doni që unë t’i blej lojtarët? A ju kujton diçka kjo?
“Në të ardhmen, investimet në një stadium të ri dhe gjëra të tilla, për një qendër stërvitore 250 milionëshe, duhet të bëjmë diçka, duhet të ftojmë investitorë.
“Për të bërë atë çka dua në klub, duhet të kem më shumë para se që kam tani”.
Një zëdhënës i klubit ka folur rreth takimit, teksa është shprehur për ‘Sky Sports’: “Ai shkoi për t’u takuar me ta, u bleu pije, dëgjoi këndvështrimet e tyre, dhe shpjegoi çka po bën klubi për të arritur sukses në fushë, të përmirësojë stadiumin, dhe të përforcojë lidhjen me fansat”.