Drejtori i Interit: Jam optimist për vazhdimin e kontratës së Skriniar
Milan Skriniar nuk u transferua në PSG gjatë afatit kalimtar veror të sivjem. Ai qëndroi tek Interi. Tani klubi “zikaltër” po ia përgatit vazhdimin e kontratës. Rreth këtij procesi optimist është deklaruar edhe drejtori, Beppe Marotta.
Interi nuk ka treguar paraqitje të mira në vijën defansive gjatë këtyre javëve të para të këtij fillimi të sezonit. As Milan Skriniar nuk ka qenë në mesin e mbrojtësve që ka transmetuar siguri në këtë repart të fushës.
Rëndësia e mbrojtësit sllovak për Interin nuk mund të relativizohet me këtë fillim jo të mirë të kampionatit. Këtë e dinë mirë vetë drejtuesit e klubit, të cilët kanë përgatitur vazhdimin e kontratës.
Para fillimit të sfidës ndaj Plzen, ishte vetë Beppe Marotta në cilësinë e drejtorit të klubit që foli rreth kësaj çështje.
Deklarata e plotë e Beppe Marottas
Interi në rast se siguron ndonjë fitore sot kundër Viktoria Plzenit do ta vuloste çështjen e kualifikimit në fazën e eliminimit direkt në Ligën e Kampionëve. Për Marottan vazhdimi i kontratës së Skriniar nuk ndërlidhet me këtë epilog.
“Vazhdimi i kontratës së Skriniar nuk do ndërlidhet me kalimin në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve. Kemi detyrim që të ulemi së bashku me të për të diskutuar vazhdimin e kontratës, sepse e meriton, pasi kemi të bëjmë me një lojtar të madh”, nënvizoi ai.
Klubi italian ishte në kërkim të një mbrojtësi gjatë verës. Emri më i lakuar ishte ai i Bremer. Tek në fund Juventus u fut në garë dhe arriti t’ia rrëmbente para duarve Interit. Nga ai çast, Skriniar që ishte planifikuar të sakrifikohej në afatin kalimtar veror, u bë i pashitshëm. Tani Marotta foli edhe për rëndësinë e tij, ku ai e sheh me mundësi që të bëhet si pikë referimi.
“Shpresoj që të bëhet një pikë referimi i Interit të tanishëm dhe i atij të së ardhmes. Jam optimist nga natyra. Bisedat bëhen mes dy palëve, ashtu sikur marrëveshjet që arrihen nga dy palë. Uroj që ta gjejmë një zgjidhje sa më parë”, deklaroi ai.
Skriniar është afër që ta arrijë shifrën e 200 paraqitjeve me Interin. Deri më tani ai numëron 183 paraqitje, ku ka shënuar 10 gola.
Ndërsa sa i takon sezonit aktual, në Serie A ka bërë 11 paraqitje dhe 5 të tjera i ka bërë në Ligën e Kampionëve.
Tek Interi është që nga 7 korriku i vitit 2017, kur u ble nga Sampdoria për një shumë rreth 30 milionë eurove. Mjaftoi një sezon në Serie A me fanellën e klubit nga Liguria që të bindeshin drejtuesit e Interit për ta afruar atë.

