Drama e gjashtë golave në Stadio Olimpico i takon Interit, nënshtrohet Roma e De Rossit - NACIONALE

Drama e gjashtë golave në Stadio Olimpico i takon Interit, nënshtrohet Roma e De Rossit

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Drama me gjashtë gola ndërmjet Interit dhe Romës ka përfunduar në të mirë të zikaltërve. Skuadra e Simone Inzaghit pas tre pikëve të plota sot e çon diferencën në shtatë pikë me vendin e dytë Juventusin.

Roma e nisi më mirë takimin, duke pasur më shumë nga loja në minutat e parë, por kjo nuk u konkretizua në gol për asnjë moment, fal edhe portierit Yann Sommer, që në një rast u tregua i mrekullueshëm.

Goli i parë u shënua nga Interi. Ishte një tollovi në zonë pas një rivënie këndore, kur topi u kthye te Francesco Acerbi, i cili me kokë shënoi bukur për 1:0 në minutën e 17-të.

Roma po haste në vështirësi për të krijuar raste shënimi, por një goditje standarde e realizuar nga kapiteni Pellegrini, e gjeti shumë mirë Mancinin, i cili barazoi për 1:1 në minutën e 28-të.

Vendasit arritën ta përmbysin rezultatin deri në fund të pjesës së parë. Zhvillohej minuta e 44-të kur Stephan El Shaarawy pas një kundërsulmi gjeti golin për 2:1, që çoi Romën për herë të parë në epërsi në këtë takim, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, Interi u hodh në sulm dhe në minutën e 49-të Matteo Darmian asistoi për Marcus Thuram, që me lehtësi shënoi për të barazuar në 2:2.

Një përmbysje e rezultatit ndodhi përsëri, por kësaj radhe ishte Interi që realizoi për 3:2, me Angelinon që shënoi autogol pas një presioni të madh nga Thuram.

Deri në fund të takimit u shënua edhe një gol. Ishte Alessandro Bastoni që me asistin e Arnautovic në minutat shtesë e çoi topin në rrjetë për rezultatin 4:2.

Kjo fitore e Interit është e 19-të në këtë sezon nga 23 të mundshme, ku prinë në renditje me 60 pikë, shtatë më shumë se Juventusi dhe 11 më shumë se Milani, që janë ndjekësit më të afërt.

Lajme të ngjashme