Dortmund fiton lehtësisht kundër Copenhagen, shkëlqen Reus
Borussia Dortmund e ka nisur me fitore rrugëtimin e tij në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar si vendës me rezultat 3:0 ndaj Copenhagen.
Fillimi i ndeshjes nuk ka qenë i lehtë për skuadrën gjermane, por me kalimin e minutave filluan ta merrnin veten dhe gjërat shkuan në favor të tyre.
Me këtë fitore ata arkëtuan tri pikët e para, në pritje të zhvillimit të ndeshjes tjetër që do të fillojë nga ora 21:00, mes Sevillas dhe Manchester Cityt.
Dortmundi ka për qëllim që të kualifikohet tutje në mesin e 16 skuadrave më të mira në kompeticionin më të madh evropian, por për ta arritur këtë duhet të paktën që të tregohet në nivel të detyrës ndaj Copenhagen dhe Sevilla, pasi Manchester City vlerësohet cilësisht disa shkallë më lart.
Raporti i ndeshjes
Me aksione shterrpe dhe aspak mirë të ndërtuara është karakterizuar gjysmë orëshi i parë i ndeshjes në “Signal Iduna Park”.
Për t’i hapur llogaritë e ndeshjes doli në skenë Marco Reus, i cili në minutën e 35-të me një solo-aksion depërtoi për mrekulli në afërsi të zonës së rreptësisë kundërshtare, për ta liruar më pastaj një goditje të saktë, e cila përfundoi në kuadrat të portës.
Këtu mori formë ndeshja për Borussia Dortmundin, pasi gjermanët filluan të luanin në stilin e tyre të zakonshëm të futbollit, me topa të shpejtë dhe të saktë, pa gabuar shumë.
Me ndërtimin e pasimeve të tilla u karakterizua edhe goli që u shënua nga Geurreiro, pas një seri pasimesh me një prekje që bëri me bashkëlojtarin e tij, Reyna. Mbrojtësi i krahut të majtë shënoi pa problem në minutën e 42-të, për ta ngritur epërsinë në 2:0.
Në pjesën e dytë Borussia Dortmund vijonte që ta kishte në kontroll ndeshjen, duke mos rrezikuar shumë, për ta çuar në binarët e duhur atë.
Dortmund nuk bëri tryesni të madhe. Përveç ruajtjes së epërsisë, Dortmund ia doli që t’i ruajë edhe energjitë, ngase pjesën e dytë e koncentroi asisoj, pa ndonjë sforcim që ia vlen të theksohet.
Mirëpo edhe kështu ata ia dolën që ta shënin golin e radhës përmes Bellingham, i cili në minutën e 83-të e dërgoi topin brenda kornizës së portës, pas një aksioni të gjatë të ndërtuar me shumë pasime.
Kësisoj, me rezultatin 3:0 u mbyll epilogu i ndeshjes, ku Dortmund iu gëzua fitores së parë në Ligën e Kampionëve për edicionin e sivjem.
Dortmund ndeshjen e dytë do ta luajë kundër Manchester Cityt, ku e pret një udhëtim mjaft i vështirë pas një jave në “Etihad Stadium”, me sfidën që do të nisë nga ora 21:00.


