Doncic dhuron magji, Dallas Mavericks e mposht 4:1 Minnestoa Timberwolvesin dhe arrijnë në finalen e madhe të NBA-së
Një paraqitje e jashtëzakonshme e Luka Doncic në finalen e pestë në Konferencën Perëndimore, ia solli fitoren e katërt Dallas Mavericks ndaj Minnesota Timberwolves, kështu për të arritur në finalen e madhe të NBA-së, aty ku i pret Boston Celtics, me këta të fundit që fituan lehtësisht finalen në Lindje ndaj Indiana Pacers.
Përballja e pestë u zhvillua në Minneapolis, në palestrën Target Center (shtëpia e Timberwolves), ku Dallasi fitoi me rezultat 125:100, me Doncic e Irving që shënuan të dy nga 36 pikë, respektivisht.
Mavericks e filluan me dominim takimin, duke i shkatërruar vendasit tërërisht në 12 minutat e parë, ku fituan 35:19, me yllin slloven që shënoi 20 pikë i vetëm, më shumë se skuadra e Minnesotas.
Në të njëjtën mënyrë vazhdoi edhe periudha e dytë. Dallas Mavericks fitoi 34:21 ndaj Timberwolves në këtë çerek, për të shkuar në pushim me 29 pikë epërsi, apo rezultat 69:40.
Minnesota filloi paksa të këndellej në pjesën e dytë, por rezultati i thellë nuk ishte lehtë i përmbysshëm. Ata fituan dy çerekët në vazhdim. Fillimisht në periudhën e tretë me rezultat 33:25, e pastaj në 12 minutat e fundit 30:27, kështu duke ulur epërsinë në 21 pikë, apo rezultat përfundimtar 124:103 në të mirë të Dallas Mavericks.
Dallas Mavericks me këtë fitore, shpallet kampione në Konferencën Perëndimore, duke shënuar katër fitore në këtë seri finale, me Minnesotan që mori vetëm një ndeshje.
Padyshim që lojtari më i dalluar i kësaj ndeshje si dhe i krejt serisë ishte Luka Doncic, i cili shënoi 36 pikë, duke shtuar edhe 10 rebounds e pesë asistime. Kyrie Irving i doli në ndihmë, ku edhe ai shënoi 36 pikë, ndërsa pikë dyshifrore shënuan edhe PJ Washington e Gafford, me nga 12 dhe 11 pikë, respektivisht.
Në anën tjetër, Edwards e Towns realizuan nga 28 pikë, por pjesa tjetër e ekipit dështoi tërërisht, duke mos arritur ta ngushtojnë serinë finale.
Dallas Mavericks tani do të jetë në finalen e madhe të NBA-së, ku do të përballet me Boston Celtics.
Seria finale fillon në shtëpinë e Celtics me dy ndeshjet e para, për shkak të rekordit më të mirë në sezonin e rregullt, me përballjen e parë që zhvillohet të premten e ardhshme (7 qershor me orë lokale në Kosovë 02:30).