Donat Rrudhani sqaron deklaratën “në Kosovë mund të luash veç nëse babai yt e njeh dikë”
Donat Rrudhani ka thënë se deklarata e tij për një gazetë zvicerane se “në Kosovë mund të luash futboll veç nëse babai yt e njeh dikë në klub” u keqkuptua dhe se ai po referohej futbollit të para një dekade dhe jo atij të tanishëm.
Intervista e mesfushorit të Kosovës dhe të Young Boys për gazetën zvicerane “Blick” bëri bujë në Kosovë, për shkak të deklaratës së tij goditëse për nepotizmin në futbollin kosovar.
“Për të gjithë ne. Jo vetëm për mua si futbollist. Sepse, nëse kthehemi në atë kohë, ishte kështu: Nëse babai yt e njeh dikë në klub, do të mund të luaje. Në të kundërtën, jo”, kishte thënë Rrudhani për Blick.
23-vjeçari, i cili këtë verë iu bashkua kampionit zviceran në një marrëveshje katërvjeçare, reagoi në Facebook për të sqaruar se deklarata e tij nuk ka të bëjë me futbollin e tanishëm në Kosovë dhe se ajo i nxor nga konteksti.
“Sqarim rreth intervistes sime, të dhënë për gazetën zvicerane "Blick”. Në lidhje me termin e përdorur se: në Kosovë mund të luash vetëm nëse babai yt ka të njohur dikë në klube, kam pasqyruar situaten e para 12-13 viteve në futbollin vendor të Kosovës, pjesë e së cilit kam qenë edhe unë, prandaj situata e tanishme, sidomos pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, normalisht që ka ndryshuar dhe rastet në klubet e Kosovës, që kanë ndodhur para 12-13 viteve, nuk përkojnë me situatën e tanishme, ku kemi rritje të profesionalizmit, ku ekipet tona si Drita, Gjilani, Prishtina, Llapi, Ballkani etj. po përfaqsojnë dinjitetshëm dhe me plot sukses Kosovën në garat evropiane”, shkroi Rrudhani.
Rrudhani, që debutoi për Kombëtaren e Kosovës këtë vit kundër Qipros në Ligën e Kombeve, shtoi: “Andaj kërkoj nga mediat dhe opinioni sportiv qe intervista ime për gazën "Blick„ të mos marrë kahje tjetër apo të paraqitet në një mënyrë tjetër nga ajo çfarë kam thënë.”
