Doku paralajmëron kundërshtarët: Le të mendojnë se gara për titull ka mbaruar
Sulmuesi Jeremy Doku pret që Manchester City të rikthehet fuqishëm në garën për titull.
“Qytetarët” kanë vuajtur këto javët e fundit, ndërsa janë nëntë pikë mbrapa Liverpoolit në garën për titullin kampion.
Shumë analistë e kanë vlerësuar se gara për Cityn ka përfunduar dhe që titulli do të vendoset mes Liverpoolit e Arsenalit, kurse s’presin shumë nga Chelsea.
Megjithatë te City janë të sigurt se mbesin në garë për titull. Doku iu ka kujtuar kundërshtarëve se gjenden vetëm në muajin dhjetor.
“Jemi ende në dhjetor... nëse mendojnë se gara për titullin e Premierligës ka përfunduar, le të mendojnë se ka përfunduar”.
“Ne po shikojmë ndeshje pas ndeshje, ndërsa po provojmë të fitojmë sa më shumë që është e mundur”.
“Do të shohim në fund”, tha ai për “Goal”.
Man City i dha fund serisë negative duke mposhtur Nottingham Forestin, kurse vetëm dy ditë më vonë do të jetë mysafir i Crystal Palace.