“Do të vdisnim për t'i mbërritur grupet e Ligës së Kampionëve”, Ballkani ëndërron për synimin e “pamundur”
FC Ballkani do të vdiste në fushë për ta realizuar ëndrrën e të gjithëve, për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, kështu thonë për Gazetën Nacionale kapiteni Edvin Kuc dhe mbrojtësi Armend Thaqi.
Kampioni i Kosovës bëri befasinë e radhës, duke i dhënë leksion në “Fadil Vokrri” 12 herë radhazi kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, që ka traditë të madhe në garat evropiane.
Me nga një gol të Meriton Korenicës dhe Qëndrim Zybës, Ballkani bëri hapin gjigand drejt raundit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve.
Në një intervistë për Gazetën Nacionale, kapiteni Kuc tha se asgjë s’ka përfunduar dhe që asnjëherë Ballkani s’ishte i frikësuar nga Ludogoretsi.
“Sigurisht një fitore ndaj një skuadre të mirë, e dinim nga fillimi se çfarë donim. Nuk ishim të frikësuar, besuam te vetja dhe kualiteti ynë dhe sërish treguam se ajo që ndodhi vitin e kaluar nuk ishte vetëm fat”.

“Asgjë s’ka përfunduar. Një ndeshje e vështirë në Bullgari na pret, duhet të bëjmë më të mirën për një rezultat pozitiv dhe të avancojmë në raundin e dytë”.
Kuc konfirmoi se Ballkani vazhdon të qëndrojë me këmbë në tokë, por të gjithë lojtarët do të jepnin edhe jetën për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
“Jemi gjithmonë për toke dhe duam të shkojmë ndeshje pas ndeshje. Nuk kemi shumë kohë për të menduar dhe fantazuar, duhet të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje për ta arritur qëllimin”.
“Ëndrrat gjithnjë ekzistojnë, një person pa ëndrra dhe qëllim nuk mund të lëviz përpara. Besoj te klubi dhe bashkëlojtarët, e di se do të vdesim për ta realizuar atë ëndërr (kualifikimin në fazën grupore të Ligës së Kampionëve)”.
Ndërsa, mbrojtësi Armend Thaqi për Nacionalen e vlerësoi si fitore shumë të vështirë ndaj Ludogoretsit, duke pranuar se nuk e kanë pritur që ta dominojnë aq hapur gjigantin bullgar.
“Një fitore shumë e vështirë sepse kemi pas përballë një ekip që e ka traditë pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane si dhe fazën grupore. Nuk e kemi pritur atë dominim aq thellë sepse e dinim se kë kemi përballë”.
“Prej momenti që e kemi ditë kë e kemi kundërshtar kemi filluar ta analizojmë çdo detaj të ekipit dhe mendoj që në ndeshjen e parë ia dolëm shumë mirë”.

Mbrojtësi më i mirë i krahut në dekadën e fundit në Superligën e Kosovës nënvizoi se synimet Ballkani do t’i vlerësojë sapo ta kalojë Ludogoretsin.
“Kishte gëzim sepse zhvilluam një paraqitje brilante mirëpo assesi diçka e tepruar ngase e kemi edhe një ndeshje dhe gjithçka është e hapur”.
“Kemi edhe një ndeshje pastaj kemi kohë për të menduar për historinë dhe se çfarë mundemi me arrit. Na pret edhe një finale në Bullgari dhe pastaj të shpresojmë për diçka më shumë”.
Ballkani të mërkurën e radhës do ta zhvillojë “finalen” ndaj Ludogoretsin, me synimin e vetëm që është avancimi tutje.