Do të jetë gjerman, por cili se? Nacionale mëson se emri i shumëpërfolur as nuk ka negociuar me Kosovën
Ish trajneri i Zurichut Andre Breitenreiter është emri i shumëpërfolur se mund ta marrë drejtimin e kombëtares së Kosovës, megjithatë nuk ka pasur asnjë negociatë, këtë e ka konfirmuar agjenti i tij për Gazetën Nacionale.
Kryetari i FFK-së Agim Ademi të dielën në një intervistë për “Kanal 10”, njoftoi se trajneri i ri i Kosovës është gjerman dhe në ditët në vijim marrëveshja do të bëhet zyrtare.
Megjithatë, edhe pse Breitenreiter ishte emri më i përmendur asnjë diskutim mes tij dhe FFK-së nuk ka ndodhur, këtë e ka konfirmuar agjenti i tij Hans-Georg Felder gjatë një bisede të shkurtër.
“Jo, nuk ka pasur kurrfar bisede ose negociate me Kosovën”, tha ai pasi u pyet nëse ka pasur ndonjë zhvillim në këtë aspekt.
Breitenreiter e ka dëshmuar vetën sa ishte trajner i Zurichut duke u shpallur kampion, mirëpo pastaj s’i eci mbarë te Hoffeinheimi. Ai ishte afër ta merrte drejtimin e Besiktasit por që marrëveshja dështoi në fund.
50-vjeçari gjerman në karrierën e tij ka drejtuar edhe klube të mëdha si Hannover 96, Schalke 04 dhe Paderborn.