KATAR 2022 | “Do të ishte dështim i dhjetëfishtë” – A do t’i shpëtojë Gjermania sot turpërimit?
E paimagjinueshmja mund të ndodhë përsëri.
Gjermania është në rrezik të vërtetë për të rënë nga Kupa e Botës qysh në fazën grupore për herë të dytë radhazi, pasi dështoi t’i fitojë dy ndeshjet e para për herë të parë që prej vitit 1938.
Dështimi i Japonisë për ta mposhtur Kosta Rikën të dielën bashkë me barazimin e djelmoshave të Hansi Flick, të siguruar vonë në ndeshje kundër Spanjës, e shpëtoi Gjermaninë nga largimi i hershëm prej këtij turneu.
Por katër herë kampioni i botës është i vetëdijshëm tani se i duhet ta mposhtë patjetër Kosta Rikën sot, si dhe të shpresojë se Japonia nuk do ta mposhtë Spanjën.
Gjermania është e fundit në Grupin E me vetëm një pikë, me Spanjën që prin me katër pikë dhe Kosta Rikën dhe Japoninë në mes me nga tri pikë.
Eliminimi i mundshëm sot është cilësuar si një dështim i shumëfishtë dhe do të bënte që e ardhmja e trajnerit Flick dhe e ekipit kombëtar të ishte tejet e pasigurt.
“Dy herë radhazi do të ishte shumë, shumë keq”

Tifozët e Gjermanisë mendonin mbase se e kishin arritur fundin kur u eliminuan nga Botërori 2018 në Rusi, duke përfunduar në vendin e fundit në grup mbrapa Koresë Jugore, Meksikës dhe Suedisë.
Gjermania arriti deri në 1/8 e finales në Kampionatin Evropian 2020, ku u mposht nga Anglia 2:0, gjë që e shënoi edhe fundit e një sundimi 15-vjeçar të Joachim Lowit si trajner.
Tani, disfata tronditëse kundër Japonisë në ndeshjen e parë, e pasur nga barazimi me Spanjën, nënkuptojnë se planet e Flickut për ta rindërtuar skuadrën janë buzë dështimit.
Ish-sulmuesi dhe ish-trajneri i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, ka thënë: “Ne e bëmë një gabim shumë, shumë të madh në ndeshjen e parë. Askush nuk priste që ne të humbnim ndaj një ekipi të fortë japonez”.
“Ne ia lejuam vetes të kthehemi në shtëpi nga Rusia me një paraqitje katastrofë, pritjet e tifozëve gjermanë ishin që të kalohej grupi së paku. Ne gjithmonë themi se duam ta fitojmë Kupën e Botës, por këtë herë gjysmëfinalja do të ishte arritje shumë e madhe”, nënvizoi ai.
“Ne po flasim tani për eliminim qysh në fazën grupore, prandaj mund ta quash këtë dështim i dhjetëfishtë, jo thjesht dështim”, shtoi ai.
