Distria Krasniqi mjaftohet me medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian, mposhtet në finale nga Amandine Buchard - NACIONALE

Distria Krasniqi mjaftohet me medalje të argjendtë në Kampionatin Evropian, mposhtet në finale nga Amandine Buchard

2 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, po vazhdon shkëlqimin e saj në xhudo. Ajo tani ka fituar medaljen e argjendtë në Kampionatin Evropian, në kategorinë deri në 52 kilogram. Krasniqi u mposht në finale nga garuesja franceze, Amandine Buchard, e cila ia mohoi medaljen e artë.

Për të arritur deri në finale, Distria fitoi tri përballje. Kaloi raundin e parë pa lojë dhe në raundin e dytë u përball me kroaten Ana Viktorija Puljiz, të cilën e mposhti lehtësisht me dy Waza-ari, për të kaluar në çerekfinale.

Në çerekfinale pati punë me garuesen nga Azerbajxhani, Gultaj Mammadaliyeva, të cilën e mposhti pasi kjo e fundit u ndëshkua me tre kartonë të verdhë, apo siç njihet në xhudo me tre penallti.

E njëjta ndodhi edhe në gjysmëfinale, ku përballë kishte Odette Giuffrida të Italisë. Përballja shkoi në Golden Score dhe vetëm nëpërmjet kartonëve u caktua fituesi, ku Distria siguroi të paktën një medalje, pasi arriti në finalen e madhe.

Në garën për titullin kampione e Evropës, Distria luftoi ndaj Amandine Buchard apo numrin tre të botës, që nuk është emër i panjohur për kosovaren nga e kaluara.

Krasniqi ishte shumë aktive në finale dhe dominoi tërësisht, me kundërshtaren që vetëm tentonte të mbrohej gjatë gjithë kohës, ku arriti qëllimin e saj, të çonte ndeshjen në Golden Score.

Pas një lufte të gjatë në kohën shtesë Buchard triumfoi me OSAEKOMI, pasi e zuri në një pozitë të keqe Distrian, duke ia mohuar medaljen e artë.

Distria Krasniqi u mjaftua me medaljen e argjendtë dhe kjo është e dyta me radhë pas asaj në Grand Slam Baku, pak kohë më parë.

Lajme të ngjashme