Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i sigurojnë Kosovës medalje, arrijnë në finale të Grand Slamit në Baku - NACIONALE

Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i sigurojnë Kosovës medalje, arrijnë në finale të Grand Slamit në Baku

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy xhudistet kosovare, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, kanë siguruar të paktën një medalje për Kosovën në Baku të Azerbajxhanit ku është duke u mbajtur Grand Slami, në kategoritë respektive -52 dhe -57 kilogram.

Krasniqi bëri një rrugëtim fenomenal, duke e mposhtur fillimisht brazilianen Jessica Pereira me një Waza-ari kur kishin mbetur edhe 44 sekonda deri në fund, për të kaluar kështu në çerekfinale. Në këtë fazë të garës ajo pati punë me marokenen Soumiya Iraoui, të cilën pothuajse në fund e mposhti me Ippon.

Në gjysmëfinale, u takua me italianen Odette Giuffrida, me të cilën ka pasur përballje të shpeshta. Atë e mposhti pasi garuesja nga Italia mori tre penalti dhe kështu Distria Krasniqi arriti në finalen e madhe.

Blloku final nis me fillim nga ora 14:00, ku Krasniqi do të jetë e teta me radhë që do të dalë në TATAMI, për t’u përballur për medalje të artë me garuesen japoneze, Kisumi Omori.

Në anën tjetër, edhe Nora Gjakova ka arritur në finale. Ajo në kategorinë deri në 57 kilogram u tregua superiore, duke fituar katër luftëra gjithsej.

Në raundin e dytë u takua me polaken Arleta Podolak, të cilën e kaloi lehtësisht, duke e mposhtur me Ippon. Me të njëjtin përfundim e mposhti edhe gjermanen Seija Ballhaus, por kjo luftë ishte paska më e mundimshme, për të fituar vetëm në ‘Golden Score’, për të kaluar në çerekfinale.

Në çerekfinale u takua me garuesen me përvojë, Priscilla Gneto, por garuesja kosovare në formë fantastike e rrëzoi me Ippon, për të shkuar në gjysmëfinale. Se ishte në formë tejet të lartë tregoi edhe gjysmëfinalja, ku kundër turkes Hasret Bozkurt u tregua e pakonkurrencë, duke fituar betejën e katërt rresht me Ippon.

Nora Gjakova tashmë ka siguruar të paktën një medalje dhe do të përballet për të artën me gjeorgjianen Eteri LIPARTELIANI, ndeshje kjo që është e 14-ta me radhë në bllokun final që nis në orën 14:00.

Lajme të ngjashme