DION DRESHAJ - talenti kosovar që kaloi dy provat fillestare me Kombëtaren e Finlandës, ftohet në testin final
Një yll i ri po vjen për futbollin kosovar. Bëhet fjalë për 13-vjeçarin, Dion Dreshaj, që është i rritur dhe i zhvilluar në Finlandë dhe luan në skuadrën HIFK.
Dioni ndonëse shumë i ri në moshë, me talentin e tij, ka arritur të bie në sy të klubeve të futbollit në vendin ku jeton, e pas paraqitjeve fantastike është ftuar edhe në testime te Kombëtarja e Finlandës për U14.
13-vjeçari ka kaluar dy fazat fillestare të testimeve me Finlandën U14, ku i ka mbetur vetëm edhe një provë për të pranuar ftesën për grumbullime të rregullta me këtë grupmoshë.
Kampi i fundit me futbollistët U14 do të mbahet gjatë datave 25 dhe 28 qershor në Tammela të Finlandës në Kolegjin sportiv Eerikkilä.

Dion Dreshaj është pjesë e skuadrës HIFK, skuadër kjo me shumë nam në futbollin finlandez, shtatë herë kampion në elitën e futbollit, ndërsa tani bënë gara në kategorinë e dytë.

Talenti kosovar po paraqitet për grupmoshat e reja në këtë skuadër, dhe e ardhmja e tij duket e ndritur në futboll, duke parë interesimin e madh që është shfaqur për të.
Gazeta Nacionale, ka arritur të kontaktoj me babain e Dionit, Mentor Dreshaj, i cili njëkohësisht është përfaqësues i tij.
I pyetur se a ka pasur ndonjëherë interesim për të nga Kombëtarja e Kosovës, ai tha se asnjëherë askush nuk e ka kontaktuar, ndonëse për këtë nuk i lë fajtorë FFK-në.
"Për Kosovë nuk kemi pasur ftesë. Me siguri nuk ka rënë në sy, ama Dioni është ende i ri dhe te Kosova ka shumë lojtarë."
Dioni i lindur në vitin 2010, në tetor të këtij viti i mbush 14 vjet. Ai shihet si një lojtar premtues, dhe shpresojmë që Kosova ta vëzhgojë nga afër, që ai mos të jetë 'diamanti' i ardhshëm që i ikë nga duart Kombëtares tonë.
Sidoqoftë, 13-vjeçari nuk e harron vendin e tij, ai është duke kaluar pushimet në Kosovën që ai e do, deri në momentin kur ai do të largohet për provën e fundit në Kombëtaren e Finlandës U14.