Dikur i dënuar për kurdisje, UEFA e ka caktuar ta gjykojë gjysmëfinalen mes Holandës e Anglisë
UEFA e ka caktuar një gjyqtar në ndeshjen Holandë - Angli, i cili kohë më parë e kishte pranuar fajësinë për kurdisje të ndeshjeve, teksa ish-lojtari i Borussia Dortmundit, Jude Bellingham, e kishte vënë në dyshim integritetin e tij publikisht për këtë gjë.
Felix Zwayer do të drejtojë ndeshjen e së mërkurës në Dortmund, pavarësisht se u dënua për gjashtë muaj në vitin 2005 pasi mori një ryshfet prej 300 eurove (325 dollarë) nga një zyrtar tjetër, Robert Hoyzer.
Një hetim i vitit 2005 zbuloi se Zwayer pranoi një ryshfet për të favorizuar klubin gjerman Wuppertaler SV në ndeshjen e tyre kundër Werder Bremen në nivelin amator në maj 2004.
Bellingham iu referua atij incidenti në një intervistë pas ndeshjes në 2021 pasi Borussia Dortmund humbi 3:2 ndaj Bayern Munich në një ndeshje të madhe të Bundesligës.
Mesfushori anglez, i cili në atë kohë luante për Dortmundin, tha: “Mund të shikoni shumë nga vendimet në lojë. Ju jepni ndeshjen një gjyqtari, që e ka kurdisur një takim më parë, ndeshjen më të madhe në Gjermani. Çfarë prisni?"
Bellingham më pas u gjobit me 40,000 euro për komentet e tij, të cilat erdhën pasi Dortmundit iu refuzua një penallti në njërën anë dhe pranoi një në tjetrën.
Shefi ekzekutiv i Dortmundit, Hans-Joachim Watzke, shtoi në atë kohë: "Për të qenë i qartë, Jude nuk po përhapte gënjeshtra, por atë që ndodhi në të kaluarën. Kjo deklaratë nuk duhej të ishte, por unë nuk shoh asgjë të pavërtetë atje. Nuk pres që kjo të ketë ndonjë pasojë për Judën."
Zwayer drejtoi fitoren 3:0 të Holandës ndaj Rumanisë në 1/8 e finales të Euro 2024 të martën.

Mbrojtësi i Anglisë, Luke Shaw ishte i shpejtë për të larguar çdo mendim konspirativ kur u pyet në një konferencë shtypi të hënën nëse situata e gjyqtarit ishte e pakëndshme.
“Jo, aspak”, tha lojtari i Manchester United. “Ne duhet të respektojmë UEFA-n për cilindo që vendos të zgjedhë si gjyqtar. Kjo nuk do të ndryshojë asgjë për ne.
Ne ende fokusohemi vetëm në lojën tonë, jo shumë për atë se çfarë gjyqtarësh na janë dhënë apo kjo dhe ajo. Për ne, nuk do të ketë ndonjë ndryshim."