Di Maria: Kemi mundur të fitonim 5:0, por ja që humbëm
Sot, Arabia Saudite shënoi njërën ndër befasitë më të mëdha në historinë e futbollit, duke mposhtur në fazën e grupeve të Botërorit hiç më pak se Argjentinën. Di Maria pati një koment të çuditshëm në lidhje me këtë ndeshje.
Në fillim u duk sikur ishte çështje kohe kur Argjentina do ta mbyllte çështjen e fituesit kundër Arabisë Saudite, pas golit të epërsisë që shënoi Messi në minutën e 10-të nga ekzekutimi i penalltisë.
Ajo që pamë më pas ishte një narrativë krejt tjetër, me Arabinë Saudite që u vërsul me vendosmëri në sulm gjersa brenda pesë minutave gjeti golat që përmbysën rezultatin dhe ia regjistruan një fitore të madhe.
Angel Di Maria, si njëri prej lojtarëve kryesorë të kombëtares argjentinase, dha një koment të tij pas një dushi të ftohtë që pësuan sot.
“Kemi mundur të fitonim 5:0, por ja që humbëm. Megjithatë, as nuk ishim më të mirët më herët, e as nuk jemi më të keqinjtë tani”, tha Di Maria.

Shtypi argjentinas, njësoj si të gjithë tifozët në shtetin amerikano jugor, po e trajtojnë me mjaft zhgënjim e mllef humbjen e sotme.
Një Argjentinë e lexueshme, e pafuqishme dhe shumë e zbehtë ishte ajo që u pa në fushë ndaj kombëtares aziatike, që tregoi një personalitet të çmuar.
Argjentina në “shok”, Arabia Saudite në festë
Nëse në Argjentinë po mbretëron një shok i vërtetë pas humbjes së sotme, e njëjta gjë nuk mund të konstatohet për Arabinë Saudite.
Mbreti Salman e miratoi kërkesën e Princit të Kurorës Mohammed bin Slaman për ta festuar fitoren e Kombëtares me një ditë pushimi.
Të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat, si dhe studentët me shkollat do ta ketë ditë pushimi këtë të mërkurë, sipas Agjencisë së Lajmeve të Arabisë Saudite.
Sauditët dukeshin të mbaruar në pjesën e parë, pasi Lionel Messi e kaloi Argjentinën në epërsi 1:0 duke shënuar nga penalltia.

Argjentinës iu shfuqizuan po ashtu tri gola për pozitë jashtë loje në një pjesë të parë ku argjentinasit u zunë plot shtatë herë në pozitë jashtë loje nga kurthi i përkryer saudit.
Por sauditët e përmbysën lojën brenda 10 minutave në fillim të pjesës së dytë falë golave të shkëlqyer nga Saleh Al-Shehri, i cili e barazoi rezultatin, dhe Salem Al Dawsar që shënoi për epërsinë dhe fitoren e kombëtares saudite.
Arabia fitoi me vetëm dy goditje në portë, ndërkohë që portieri Green Falcons pati një paraqitje të shkëlqyer po ashtu, duke bërë disa pritje vendimtare të argjentinasve.

Argjentina e Lionel Scalonit erdhi si favorite në këtë Botëror, për shkak të një ecurie fantastike prej 36 ndeshjeve pa humbje dhe si kampione e Amerikës Jugore 2021.
Tani ata duhet t’i mbajnë gjallë shpresat për trofeun e parë global që prej vitit 1986 dhe për t’i dhënë Messit një lamtumirë të mirëfilltë në atë që është me gjasë Botërori i tij i fundit.
Argjentina do të përballet edhe me Poloninë dhe Meksikën në Grupin C në dy ndeshjet e fundit grupore.

