Dhuna në Hendboll: Përjashtohen përherë 3 lojtarë, Vushtrria dënohet ashpër - NACIONALE

Dhuna në Hendboll: Përjashtohen përherë 3 lojtarë, Vushtrria dënohet ashpër

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Fundjava që lamë pas na dhuroi pamje aspak të mira në hendbollin kosovar, ku përballja KH Vushtrria – KH Trepça, u ndërpre për shkak të dhunës nga vendasit, të ushtruar në lojtarët mysafirë, që më pas të njëjtit u sulmuan edhe nga tifozët. Nga Federata e Hendbollit kanë reaguar sot, duke regjistruar ndeshjen me rezultat zyrtarë, ndërsa tre hendbollistë të Vushtrrisë u dënuan përjetësisht nga zhvillimi i ndeshjeve.

Përleshja filloi pasi lojtari i Trepçës kërkoi ndihmë mjekësore, me portierin vushtrrias që filloi me grushte, për t’iu bashkangjitur lojtarët tjerë si dhe më pas tifozët.

Ndeshja si rrjedhojë u ndërpre pak minuta pasi filloi pjesa e dytë, me mitrovicasit që ishin duke fituar deri atëherë me rezultat 21:17.

Sot nga Federata e Hendbollit të Kosovës, u publikua Buletini javor, ku u konfirmuan dënimet e rënda.

Vushtrria si klub dhe lojtarët e saj e pësuan më së rëndi si shkaktarë të situatës së ndodhur.

KH Vushtrria në total u dënua me 800 euro gjobë (300 euro për hedhje të mjeteve piroteknike, si dhe 500 euro për përleshjen e ndodhur), -3 pikë në renditjen tabelore dhe pesë ndeshje pa prezencë të publikut në palestër, ndërsa ndeshja e ndërprerë u regjistrua me rezultat zyrtarë 0:10 në favor të KH Trepçës.

Halim Miftari, Asllan Gërguri dhe Haki Vllahija janë tre lojtarët që janë përjashtuar për jetë nga loja e hendbollit, me të parin që nisi gjithçka dhe dy të tjerët e vazhduan sulmin ndaj portierit të huaj të Trepçës.

Dy lojtarë tjerë, Fitim Klinaku dhe Muhamet Hyseni, shpëtuan më lehtë, pasi i pari u dënua me dy vite ndalesë, ndërsa i dyti me gjashtë muaj, ndërsa morën edhe gjobë nga 200 euro secili.

Në krejt këtë rrëmujë të madhe, vetëm një lojtar i skuadrës së Trepçës mori dënim. Meriton Lladrovci dënua me një ndeshje moslojë si dhe 200 euro gjobë, për shkak të ofendimit të një personi zyrtar të ndeshjes.

Këto janë dënimet më të rënda të shqiptuara ndonjëherë në sportin kosovar dhe plotësisht të merituara, duke shpresuar se ngjarje të tilla më nuk do të ndodhin.

Lajme të ngjashme