Dështoi te Ballkani, Arb Manaj zyrtarizohet te Drita
Sulmuesi kosovar, Arb Manaj, ka kompletuar transferimin e tij te Drita pak minuta më parë, disa ditë pasi u lirua nga kampioni i Kosovës, Ballkani, ku eksperienca e tij e shkurtër ishte e dështuar.
Manaj u prezantua sot nga drejtori sportiv i Intelektualëve, Valon Zymberi, i cili i uroi mirëseardhje te nënkampioni i Kosovës.
Arb Manaj është paraqitur edhe më parë në elitën e futbollit kosovar, ku filloi si profesionist me Trepçën 89 nga ku edhe shpërtheu, për t'u transferuar më pas në Turqi dhe Kroaci, por që periudha e tij jashtë Kosovës zgjati shumë pak dhe u kthye në futbollin kosovar.
Pas një qëndrimi njëvjeçar te Slaven Belupo në Kroaci, ai në gusht të vitit 2023 nënshkroi me Ballkanin si lojtar i lirë, teksa përgjatë këtyre muajve ka luajtur vetëm 106 minuta në Superligë në katër paraqitje, 30 minuta në Ligë të Konferencës në tre paraqitje, duke gjetur golin në vetëm një rast.

Ballkani dhe Manaj ndanë rrugët me përfundimin e gjysmës së parë të sezonit dhe shumë skuadra kosovare u interesuan për shërbimet e tij, por Drita ishte më konkrete duke arritur të nënshkruajë me të.
Arb Manaj, 25-vjeçar, do ta ketë mundësinë më të madhe te Intelektualët për ta treguar veten, duke parë që dy sulmues të rinj sapo janë liruar nga klubi, bëhet fjalë për Rilind Haziraj dhe Ardit Tahiri.